Shqipëria po kalon një krizë të thellë politike. Ka një tension, i cili shpesh përpiqet të kalohet, por duket se pa zgjidhje.

dhune ne proteste

Nga djegia e mandateve e deri sot janë gati 10 muaj politikë aktive, që kanë sjellë shumë oshilacione, që nga protestat e fuqishme, më pas sulme me molotov ndaj institucioneve, rezistenca e policisë, zgjedhje lokale të 30 qershorit që u zhvilluan në të gjithë Shqipërinë, Rilindja që mori 61 mandate, kryebashkiakë që iu digjen mandatet sepse kanë qënë të dënuar, skandale, PPP dhe koncesione të qeverisë, presidenti që “vërsulet” me një datë tjetër zgjedhjesh, tani është bërë gati për një përplasje më të ashpër duke paralajmëruar një protestë apo një tubim madhështor në 8 dhjetor, apo që Vetëvendosja zbarkon me 28 nëntor në Tiranë.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama del e bën monologje, ndërkohë që kryetarët e bashkive dhe PS-të lokale kanë filluar zgjedhjet dhe riorganizimin e tyre. Lulzim Basha del e deklaron publikisht se brenda dhjetorit mbyllet Kodi Zgjedhor, çka mund të hapë rrugën për zgjedhje të parakohshme.

Show i kryeministrit dhe lëvizjet e tjera, gjithçka ka ndodhur dhe po ndodh këto ditë, tregojnë se po shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe fushata tashmë ka filluar.

Do të jetë mjaft e vështirë për kryeministrin Edi Rama ta kalojë këtë krizë politike pa zgjedhje.

Ndoshta ai vazhdon të lexojë sondazhet e tij dhe të shohë se çfarë presin shqiptarët, por nuk ka asnjë rrugë të dytë apo të tretë.

Ai ka Ilir Metën përballë që i ka bllokuar gjithçka, që nuk do ta lejojë të ringrejë Gjykatën Kushtetuese dhe zgjidhja është shkarkimi i Presidentit

Por, kjo do ta thellonte edhe më tej krizën dhe për këtë Rama është i bindur. Zgjidhja më e mirë për këtë ndoshta do të ishin një palë zgjedhje të parakohshme, në një moment kur opozita duket ende e çorganizuar dhe e përçarë, ku Lulzim Basha nuk ka mbështetjen e duhur. Pavarësisht se ka një urrejtje të madhe popullore ndaj Edi Ramës, çka mund të shkaktojë një pjesëmarrje të ulët në votime dhe do të ishte shumë e vështirë për kryeministrin që të rikonfirmohet në detyrë.

Gjithësesi këto të fundit janë llogaritje aritmetike shifrash, që në fund do të nxjerrin një rezultat. Por, në fund ajo që po shohim sot është fakti se të gjithë kanë zbarkuar në terren.

Dikush live me “one man show”, dikush me tubime, Lulzim Basha në turin “Shpresë për Shqipërinë”, e kështu me radhë.

Të gjithë tashmë kanë zbritur poshtë. Me monologje apo dialogje, të gjithë duken të gatshëm të pranojnë zgjedhjet e parakohshme.

Edhe vetë Basha që nuk hyri në 30 qershor, dhe që prej atëherë e deri sot asgjë nuk ka ndryshuar, është i gatshëm të hyjë në zgjedhje me shpresën se ato do t’i fitojë.

Pra, të gjithë skenarët të çojnë tek zgjedhjet e parakohshme, të cilat mund të jenë në pranverë, apo më vonë kur dhe vetë mazhoranca të ketë bërë të gjitha kalkulimet për të marrë maksimumin e mundshëm nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare./ CNA.al