Në fund të prezantimit të paktës “Anti KÇK”, kryeministri Edi Rama i ka kërkuar mbështetjen gjithë deputetëve socialistë për ta miratuar. Madje shefi i maxhorancës ka kërkuar mbështetje pa kushte duke iu bërë edhe një paralajmërim deputetëve të PS.

“Unë kërkoj mbështetjen pa kushte të gjithë grupit parlamentar për ligjin special dhe paketën kundër KÇK pa kushte. Kush nuk e voton këtë paketë është i përjashtuar nga grupi parlamentar i PS”, deklaroi kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se paralelisht me këtë maxhoranca do të prekë një sërë ligjesh të tjera. “Ky do të jetë një akt normativ bazuar mbi vendimin e qeverisë. paralelisht disa ligje të tjera do të preken. Agjencia e pronave të sekuestruara do kalojë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Do ngremë edhe një njësi speciale kundër korrupsionit që do jetë një njësi e përqendruar tek korrupsioni në gjithë sistemin qeverisës. Askush nga ne dhe aq më pak PS nuk mund të mbajë në kurriz dikë që përdor mandatin e zyrën në funksion të tij”, paralajmëroi Rama.

Ai tha se kjo njësi do të jetë njësoj si OFL, njësi ku bashkëpunimi në terren me partnerët është pjesë. “Inspektorët e GDF dhe inspektorët e thesarit amerikan do jenë pjesë e kësaj njësie. Qoftë për korrupsionin shtetëror, qoftë ne sektorin privat”, tha më tej Rama.