TIRANE- Konsiderohet si ‘gruaja e hekurt’ e SPAK-ut për shkak të dosjeve që ka çuar në gjykatë, hetimit për herë të parë të Emiljano Shullazit dhe të pasurisë modeste, vetëm pagën si prokurore. Ajo është prokurorja pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, kandidate për Prokurorinë e Posaçme. Musabelliu do të dalë në datën 2 dhjetor 2019 para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për t’u njohur me rezultatet e verifikimi ndaj saj për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Trupa gjykuese që po shqyrton dosjen e znj. Musabelliu, përbëhet nga Alma Faskaj, Pamela Qirko dhe Firdes Shuli. Prokurorja është përzgjedhur me anë të shortit që në datën 11 shtator 2018 për t’ju nënshtruar Vetingut. Musabelliu është kualifikuar si kandidate për t’u emëruar në SPAK, strukturën që do të hetojë krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk mund të finalizojë emërimin e saj, për shkak se nuk ishte përballur me Vetingun. Nëse Komisioni i Vetingut do të konfirmojë në detyrë dhe Komisioneri Publik nuk vendos për ta ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Musabelliu mund të emërohet në Prokurorinë e Posaçme brenda muajit dhjetor, duke e çuar numrin e prokurorëve të SPAK në nëntë.
Report Tv ka siguruar deklaratat e plota të pasurisë së kandidates për SPKU-n, nga viti 2004, kur ka deklaruar për herë të parë pasurinë. Doloreza Musabelliu nuk deklaron asnjë pasuri të paluajtshme në emrin e saj, nuk deklaron asnjë dhuratë nga prindërit apo vëllai, nuk deklaron hua, as makina dhe as llogari të fryra bankare. Për 9 vite me radhë, nga viti 2004 deri në vitin 2013, prokuroja Doloreza Musabelliu deklaron vetëm pagën e saj si prokurore dhe kursime nga kjo pagë rreth 300 000 lekë në vit. Në vitin 2014, përpos pagës së saj, deklaron edhe pagën e bashkëjetuesit, Genci Duraj si noter në vlerën 1 088 680 lekë. Gjatë këtij viti, bashkëjetuesi Duraj deklaron një apartament me vlerë 73 400 euro, si burim një hua me kontratë si dhe një makinë 10 mijë euro. Në vijim, Doloreza Musabelliu dhe bashkëjetuesi i saj deklarojnë vetëm të ardhurat, ajo si prokurore dhe ai si noter.
Doloreza Musabelliu është prokurorja e parë që ka hetuar Emiljano Shullazin në vitin 2007. Në atë kohë, prokurorja Musabelliu kërkoi 18 vite burg për Shullazin. Musabelliu ka hetuar edhe çështjen e avionit të pilotuar nga Guido Guidi, i cili u rrëzua në grykëderdhjen e lumit Ishëm, por që prokuroria nuk vërtetoi nëse me të do të kryhej trafik droge, pavarësisht pretendimeve dhe dyshimeve. Dy vjet më parë, prokurorja Doloreza Musabelliu ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive të dyshimta të biznesmenit të hidrosanitareve Nikolin Janina, pronar i kompanisë “Iberia invest” dhe “Alba ceramican” sh.p.k, apo e njohur si “Porcelanosa”. Janinës iu bllokuan
4 milionë euro, pasi Spanja lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për të si ti përfshirë në trafik droge. Në pronat e bllokuara janë 4 banesa e 2 garazhe në Tiranë, 1 banese në Vlorë, tokë në Drimadh, Porto Palermo, Llaman e Himarë.
Gjithashtu Doloreza Musabelliu ka hedhur për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, ndërsa ka në dorë dosjen Toyota Aurus me miliona euro të sekuestruara në Durrës. Prokurorja ka qenë e përzgjedhur nga autoritetet franceze për hetimet dypalëshe, kryesisht në fushën e trafikut. Deri në vitin 2017, Doloreza Musabelliu ka qenë drejtuese e njësisë së Anti-Korrupsionit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në vitin 2017, ish-kreun i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj e shkarkoi, duke e kaluar prokurore të thjeshtë në këtë prokurori. Më pas edhe vetë Besim Hajdarmataj u shkarkua nga detyra si kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda.
( Kliko këtu ) Deklarata e pasurisë e Doloreza Musabelliut e vitit 2012
( Kliko këtu ) Deklarata e pasurisë e Doloreza Musabelliut e vitit 2015