E gjithë përpjekja është demokratizimi apo maksimizimi i lirisë drejt idealit. Të gjitha pengesat konvergjojnë në një pikë. Mungesës së demokracisë, mosndarjes së përgjegjësive dhe vendimmarrja e centralizuar.
Përplasja është e qartë. Pushteti individual përballë vendimmarrjes kolektive. Grida Duma, në “Koha për politikë”, botim i “UET Press”, ka qasjen e vet për zgjidhjen e ngërçeve, (në Shqipëri, çdo ngërç është hapi i parë drejt një krize) që çelin përditë e disa agravojnë ndjeshëm.
“Na duhet Kushtetutë e re, balancë dhe kontroll pushtetesh, Senat me dy dhoma, President nga populli, sistem zgjedhor që e çon vendimmarrjen te qytetari, demokratizim real, referendume të shpeshta dhe të thjeshta për t’u organizuar për të pasur një vendimmarrje qytetare për çështjet e rëndësishme me interes publik e komunitar”.
Në botimin e saj të fundit, “Koha për politikë”, bëhet një analizë mbi rrëmujën e pritshme institucionale dhe ngërçeve, që sot po prodhohen mes përplasjes së institucioneve. Duket qartazi që Grida Duma nuk ndërhyn në debatin e drejtësisë dhe e kuron atë me një ekuilibër etik, duke dhënë zgjidhje që kufizojnë pushtetin e politikanëve dhe të ekzekutivit. Po ashtu, i jep peshë reale vendimmarrjes përmes diskutimeve dhe pjesëmarrjes së qytetarëve.
SISTEMI I NJËSHIT PËRKUDREJT DEMOKRATIZIMIT
E gjithë sfida e shoqërive demokratike përmblidhet pikërisht te rritja e nivelit të demokratizimit, pra te perfeksionimi i funksionimit të të gjitha institucioneve në akordancë me njëri-tjetrin dhe me progresin e shoqërisë njëkohësisht. Por, si mund të rritet niveli i demokratizimit? A do të mjaftonte formula e artë, që të fokusohemi vetëm te rritja e mirëqenies së individit, lirisë dhe potencialit të tij, sepse për rrjedhojë të tjerat automatikisht do të realizohen? Besimi te formula “një individ i shëndoshë sjell një shoqëri të shëndoshë”, që Smithi e konkretizoi edhe në formulën ekonomike, sot nuk mund të zbatohet më si një fenomen shkak–pasojë, pra me një kahje: mirëqenia e individit sjell mirëqenie të shoqërisë.
Kjo, sepse evolucioni demokratik ka kaluar nga koncepti i “demokracisë së të drejtave të njeriut” te “demokracia e grupeve të interesit”. Por, pavarësisht këtij zhvillimi, shoqëria shqiptare vazhdon të përfundojë te sistemet “Njësh” dhe përballet me vështirësi të mëdha të qeverisjes së një “shoqërie rifuxho”. Po ashtu, përfaqësimi nëpërmjet grupit të interesit po bëhet dita-ditës më i dukshëm. Në këto kushte, si mund të marrin më shumë pjesë grupet sociale në demokratizim? A duhet menduar për një reformim të institucioneve me bazë politike si, për shembull, Parlamenti? A do të ishte zgjidhje legjitimimi i pjesëmarrjes së grupeve të interesit në procesin vendimmarrës? Çfarë statusi juridik duhet të ketë për diversitetin e shoqërisë civile? A duhet të kapërcejmë paragjykimet dhe të lejojmë financimin e politikës nga grupet e interesit?
Grida
Demokratizimi dhe demokracia janë dy koncepte që duhen dalluar nga njëri-tjetri. Kjo në terma më të thjeshtë do të thotë se, përveç ekzistencës së institucioneve si vota, parlamenti, pluralizmi partiak, gjykata, shoqëria civile, oferta publike dhe private, media e liberalizuar etj., etj., ekzistenca e të cilave e bën një vend të quhet demokratik në teori, duhet siguruar edhe funksionimi i tyre, madje përmirësimi dhe rregullimi i funksionit të tyre: ky është demokratizimi. Të jetuarit në një hapësirë demokratike varet nga demokratizimi, pra nga rregullimi i vazhdueshëm i funksioneve të këtyre institucioneve.
PSE PËRFUNDOJMË DREJT SISTEMEVE “NJËSH”
Një pikë e rëndësishme ku duhet të ndalim është: Si shpjegohet që, sa më shumë mundohemi t’i largohemi metaforës autoritare, vendimmarrjes së centralizuar etj., edhe pse jemi në një sistem demokratik, sërish përfundojmë në “sistemet e Njëshit”. Për më tepër, ajo që duhet theksuar është efekti i dyfishtë negativ i kësaj skeme, ku vizualisht duhet imagjinuar “Njëshi” në podium dhe gjithë shoqëria masive poshtë. Të gjithë poshtë zgjaten për të marrë nga “Njëshi” në podium dhe “Njëshi” mbetet në pasiguri të plotë për të udhëhequr apo për të përzgjedhur dhe për të marrë vendime për të gjithë. Deri më sot, me të drejtë, kemi trajtuar vetëm njërën anë të medaljes, frustrimin e masës rifuxho poshtë, por kjo nën suazën e një sistemi diktatorial. Nëse e shohim në optikën e një shoqërie demokratike, ana tjetër e problemit është po aq problematike. Sepse që të qeverisësh, duhet të delegosh një vendim, duhet që strukturat të të përgjigjen, por nëse mentalisht strukturat sërish i drejtohen “sistemit Njësh”, atëherë kjo ka problemet e veta. Ata që drejtojnë, në cilindo nivel, kanë një problem me mënyrën e qeverisjes së një shoqërie, që mund ta quajmë rifuxho: e pagrupuar, e pastrukturuar, e paartikuluar si shoqëri grupi apo shoqëri me grupe interesi, edhe pse funksionimet dhe interesat reale janë tashmë të llogaritura drejt si një shoqëri grupi. Këtu do ta shihja defektin kryesor të fazës së sotme të demokratizimit të shoqërisë.
Si mund ta menaxhojmë pjesëmarrjen e grupit në sistemin politik demokratik? Së pari, në një ekonomi tregu dhe në një shtet demokratik, është e rëndësishme të kuptojmë nëse kjo është një kërkesë apo një nevojë? Pra, e shtrojmë si çështje sepse e gjykojmë si vlerë demokratike, apo e shtrojmë si çështje se s’ka rrugë tjetër veç saj?
Nuk ka rrugë tjetër veç saj!
Për dy arsye: nga ana e tij, çdo njeri do që t’i përfaqësohen interesat e veta dhe të ketë përfitime nga klasa që e qeveris; nga ana e saj, klasa qeverisëse do të kuptojë se si mund ta bëjë të kënaqur individin, që të mund qëndrojë edhe vetë në pushtet.
Kuvendi
Ky komunikim dhe ndërveprim kërkon një fjalëkalim dhe fjalëkalimi është grupi. Aktualisht jemi në një moment ku klasa politike në Shqipëri nuk e lexon dot mesazhin e popullit të vet: askush nuk është në gjendje, qoftë përmes studimeve apo sondazheve, të kuptojë çfarë do opinioni publik.
Për të kuptuar mesazhin shoqëror na nevojitet një strukturim i shoqërisë, grupe përfaqësuese interesash në çdo fushë, të cilët shprehin nevojën, mesazhin e dhjetëra e qindrave individëve të përmbledhur e të sintetizuar në një të vetëm dhe e adresojnë atë drejt qeverisësve. Kjo ndërkohë ka bërë të mundur që edhe vetë individët në grupin e tyre të kenë bërë negociatat mes tyre, duke rënë në dakordësi akord. Mund të thuhet që sot kemi sindikata, dhoma noterësh, dhoma avokatësh, dhoma tregtie e tjerë, e të tjerë, por çështja është te funksionaliteti i tyre. Nga njëra anë, sa aktivë dhe të përgjegjshëm janë pjesëmarrësit në këto grupime dhe po aq, sa legjitimitet u njihet këtyre grupeve në vendimmarrje: a duhet të qëndrojnë këto grupe në nivel konsultimesh e sugjerimesh, a janë ato ekuivalente me shoqërinë civile, a ka diferencim dhe klasifikim të grupeve, apo janë thjesht në emërtimet e tyre?
SISTEM TË RI ELEKTORAL, NEVOJË PËR DEMOKRATIZIM REAL
Fillimisht, koncepti i demokratizimit është një proçes, një stad, një formulë, apo çfarë? Demokratizimi është një proces që nuk mbaron kurrë sepse fillon nga ideali i lirisë, madje nga ideali i lirisë për të gjithë. Janë të pafundme trajtesat dhe hulumtimet mbi idealin e lirisë, kështu pyetjet si: ç’është liria pa mundësi, ç’është liria në vetmi, ç’është liria me pak alternativa zgjedhjeje, e tjera e të tjera, na bëjnë të qartë sa e pafundme është rruga drejt këtij ideali.
Dy format e mëdha të qeverisjes diferencohen pikërisht në këtë çështje. Nga njëra anë vendet demokratike, që aspirojnë të krijojnë lirinë, duke i dhënë sa më shumë mundësi individit me qëllim që të shpalosë veten në talente dhe në dështime dhe nga ana tjetër vendet jodemokratike, të cilat nuk ndërtojnë mundësitë apo alternativat për zgjedhje, prandaj dhe individi nuk mund ta shpalosë vetveten. Por, procesi i krijimit të mundësive është i pafundmë, sepse ne, pavarësisht mundësive të krijuara, i rrisim kërkesat tona në mënyrë të pareshtur dhe kështu, ky proces vazhdon të mbetet një ideal, që e ndjekim gjatë gjithë kohës, një ide përgjatë kohës magjepsëse, asnjëherë e mjaftueshme, asnjëherë e përfunduar dhe asnjëherë e kënaqshme. Pse? Sepse e mbajmë si aksiomë që demokratizimi i një shoqërie është procesi më sfidues, sepse i qaset më mirë gjendjes natyrale të njeriut, një gjendjeje të lirë të shpirtit të tij. Kjo do të thotë që i qaset edhe pjesës/anës tjetër të njeriut, pakënaqësisë së pafundme të tij, që e bën atë të ecë përpara pikërisht nëpërmjet kësaj kontradikte: kënaqësisë dhe krijimit të pakënaqësisë.
Megjithatë, edhe për sa i takon demokratizimit si proces, mund të themi që ka disa shoqëri demokratike, të cilat mund të konsiderohen konservatore, edhe pse nuk mund të thuhet se ekzistojnë shoqëri që nuk evoluojnë. Këto janë kryesisht shoqëritë anglo-sanksone, për të cilat ndoshta do të dukej qesharak termi “demokratizim”, ose ndryshimi i sistemit elektoral, ose gjëra të tjera të kësaj natyre. Këtu ka edhe njëfarë paradoksi, ku kalcifikimi i strukturës së tyre demokratike, i mënyrës së demokratizimit, i mënyrës së evoluimit të demokracisë, sistemi i tyre politik është i tillë që, edhe pse “i ngurtë”, e ka siguruar krijimin e mundësive apo mundësitë e barabarta. Ka siguruar një rezultat në radhë të parë, ka legjitimuar atë strukturë që është dhe çfarë është më e rëndësishme, duke e ngulitur thellë atë. Kjo ngulitje, ky vertikalitet e bën të vështirë çmontimin; mbi të gjitha për shkak të suksesit të saj. Është interesante të mendosh që pas Kurorës Britanike, Kushtetuta amerikane mbetet gjëja më “konservatore”. Sidoqoftë, për shoqëritë e reja dhe demokracitë e reja si ne, që ndonëse jemi popull i vjetër jemi shoqëri e re në kuptimin modern, çështja e demokratizimit shtrohet vazhdimisht.
Në fakt, për demokratizimin që e bën demokracinë funksionale, mund të themi që ka pasur njëfarë diskutimi qysh në fund të viteve ‘80-të; kujtojmë termin e famshëm “demokratizim i mëtejshëm i jetës së vendit”, debat që kulmoi pas transformimeve demokratike. Por, përse sërish po shtrojmë çështjen e demokratizimit dhe madje bëjmë pyetjen “çfarë demokratizimi na duhet?”
Në Shqipëri, pavarësisht se në kuptimin formal Kushtetuta është e ngurtë, ajo ka pësuar shumë ndërhyrje, në thuajse 20 vite jetë. Nevoja për demokratizim e bën dhe më të domosdoshme ndërhyrjen në kontrollin dhe balancën e pushteteve, duke nisur nga një sistem zgjedhor më përfaqësues. Sistemi zgjedhor që e bën votën njësoj të vlefshme në të gjithë territorin dhe që e kthen politikën në arenë të konkurrencës me ide dhe platforma dhe jo me lidhje nepotike dhe të mbyllur, do t’i shërbente demokratizimit sepse do të ndërtonte një klasë politike të përgjegjshme ndaj qytetarëve dhe vendit. Mbi të gjitha, do të minimizonte superpushtetin e një personi të vetëm.
DEMOKRACIA E DREJTPËRDREJTË/REFERENDUMI
A është filozofia e grupit dhe ekzistenca e domosdoshme e grupit një fenomen shqiptar, apo ballkanas?
Ky fenomen është universal dhe u bë gjithnjë e më shumë emergjent kur bota filloi të ishte gjithnjë e më shumë pa kufij, pa barriera ekonomike dhe sociale, bota “një vend”. Kur hapësira gjithnjë e më të mëdha duheshin qeverisur dhe njëkohësisht kur gjithmonë e më shumë njeriu i zakonshëm fitoi të drejta ndaj klasave të larta dhe kur anasjelltas, gjithnjë e më shumë po tentojmë të jetojmë në një botë ku klasa e lartë të ketë po ato drejta dhe jo më shumë se një njeri i zakonshëm. Flasim për të drejta, jo mundësi.
Auto Screenshot 101571240647
Po ashtu, ky fenomen u bë shqetësim në të gjitha sferat: ekonomike, juridike, politike. Teorikisht, Nicklas Luhmanni vuri një stampë mbi problemin duke e diagnostikuar atë: individi nuk është më pjesë e shoqërisë. Çfarë do të thotë kjo, a nuk është e habitshme? Është madje tronditëse, por e vërtetë. Luhmann thotë në veprën e tij “Sistemet sociale”, se individi në asnjë moment nuk e prek shoqërinë tërësisht, sepse në çdo moment ai vepron sipas rolit të tij në kohë dhe kështu individi në një moment në kohë bën kontakt me sistemin social ose si prind, ose si pacient i sëmurë, ose si klient, ose si udhëtar dhe asnjëherë të gjitha së bashku. Për rrjedhojë, individi e prek shoqërinë vetëm me pjesë të tij. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që çdonjëri nga ne, me shoqërinë përplaset, por me një funksion të caktuar, në një moment të caktuar. Pra, në një moment të caktuar nuk jemi gjë tjetër, veçse funksioni që ne kryejmë në shoqëri dhe në këtë moment, shoqëria na përgjigjet me funksionin me të cilin ne i drejtohemi.
Atëherë, çfarë na rezulton nga kjo logjikë? Na rezulton se e vetmja mënyrë për të përfaqësuar interesat tona, është funksioni me të cilin ne prezantohemi dhe ky funksion ka vlerë në grup.
Kështu, në kushte normale, një avokat i vetëm, sado profesional qoftë, s’mund të ndryshojë ligje në shërbim të profesionit të tij, po ashtu një mjek i vetëm apo një ekonomist i vetëm, të gjithë duhet të jenë pjesë e një grupi që të dëgjohen nga sistemi social dhe politik. Kjo për arsye se individi në vetvete nuk të mund të shfaqet si një i tillë, si individ, si i tërë pa ekzistencën e këtij grupimi. Kjo është krejtësisht normale: për shembull, individi si mjek do të marrë pjesë në Urdhrin e Mjekut; si qytetar do të marrë pjesë, si dikur, në këshillat e lagjes, si baba do të marrë pjesë në bordet e fëmijëve në shkolla; si klient, në Shoqatën e Mbrojtjes së Konsumatorëve. Ky është i njëjti individ, por nëse nuk merr pjesë në të tilla organizma të grupuara, e ka ta pamundur që interesat e tij të mund të kënaqen ndryshe.
Atëherë, e vetmja zgjidhje është të futemi në një fazë të re, ku të përputhim strukturën juridike dhe institucionale të demokracisë sonë, me një shoqëri tashmë jo të organizuar sipas individit, por sipas grupit, pra përputhja e një sistemi politik institucional dhe ligjor, i cili përfaqëson dhe e sheh shoqërinë si të grupuar, si shoqëri grupesh interesi.
Bashkë me këtë duhen krijuar të gjitha hapësirat dhe procedurat, përfshirë këtu dhe një draftkushtetutë të re, e cila do t’i brendashkruhej kësaj filozofie.
Kjo do të kërkonte një grup reformash, në disa prej të cilave mund të ndaleshim. Më e rëndësishmja është pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve nëpërmjet referendumeve, të cilat mund të zhvillohen sa për çështje të karakterit lokal apo kombëtar. Ndërhyrja ligjore për të lehtësuar zhvillimin e një referendumi kur kërkohet nga një grup qytetarësh apo grup interesi, që arrin numrin e domosdoshëm të firmëtarëve, është jetik si mekanizëm për të përfshirë në vendimmarrje të drejtpërdrejtë qytetarët. Vetë Reforma Zgjedhore dhe ndryshimi i sistemit mund të ishin një çështje e referendumit popullor, duke shmangur mundësinë e kompromiseve të pushtetit.
PARLAMENT DYDHOMËSH OSE PRESIDENT NGA POPULLI
Trashëgimia jonë e përfaqësimit është çimentuar te një Parlament njëdhomësh dhe që shpreh një herë në 4 vjet vullnetin e shoqërisë në atë moment, pra ditën e zgjedhjeve. Po ashtu, falë sistemit të ri elektoral, pas 1998-ës është përkeqësuar përfaqësimi, pasi shpreh vetëm gjendjen midis dy blloqeve të mëdha politike në momentin e dhënë të zgjedhjeve. Blloqet e mëdha politike janë gjithaq të çimentuara dhe shprehin gjendjen, në të cilën ndodhet lidershipi i secilës prej këtyre koalicioneve të mëdha. Kufizime të kësaj natyre e bëjnë të pamundur që të kemi pasqyrim të gjendjes së shoqërisë: duket sikur kjo e bën më të lehtë qeverisjen sepse thjeshton punë, por në fakt e bën më të vështirë dhe më të thellë diferencën midis atyre që qeverisin dhe atyre që presin të qeverisen, i zhduk nuancat shoqërore dhe krijon një monokolor dhe monosistem.
Ndoshta, reforma e parë që duhej bërë do të ishte një lloj ndarjeje e Parlamentit. Ka qarkulluar ideja e vjetër e Senatit dhe duhet rikthyer, jo vetëm në funksion të reformës, por dhe për një përfillje të elitës së vjetër, që duke dalë nga skena në mënyrë të natyrshme, po depozitohet në marxhinat e shoqërisë si një vlerë e papërdorshme. Por ndarja, para se të jetë honorifike, duhet në radhë të parë të zgjidhë një çështje. Cila është çështja? Ndarje e funksioneve. Të pasurit e një dhome të vetme, jo vetëm që nuk është avantazh, por e kundërta, është pengesë. Po të shohim konfliktin e fundit 3-vjeçar për ligjet organike, për shembull, për gjykatat, ku si palët dhe partnerët ndërkombëtarët thonë që duhen, struktura e Parlamentit bëhet jo lehtësuese, por kufizuese.
Ndarja e Parlamentit në dy dhoma do të kishte një avantazh tjetër, do ta bënte procesin legjislativ më shumë procesual dhe jo një akt. Të mos harrojmë që kemi ndryshime kushtetuese që bëhen për një javë; ligje shumë të rëndësishme që bëhen për dy javë; iniciohen nga një strukturë e vogël dhe votohen për dy javë brenda Parlamentit. Pa humbur karakterin efektiv të qeverisë, duke i lënë Dhomës së Ulët të drejtën e ligjeve qeverisëse, buxhetit etj., ligjet me natyrë organike ose të sistemit, pjesës natyrore të shtetit, të kalonin nëpër këto dy shkallë, të cilat do të kishin kredibilitetin dhe urtësinë e duhur. Por mbi të gjitha, dy dhomat do të reflektonin një gjendje politike të ndryshme nga një moment i vetëm. Pra, do të kishim një mundësi të tretë, do të reflektonim gjallërinë e shoqërisë, jetën e shoqërisë, do të përfaqësonim elitën, do të depozitonim elitën e vjetër dhe do të shfrytëzonin përvojën e saj. (Sot e dimë dhe mund ta themi me bindje që “përfaqësues të klasës së vjetër politike”, ata që i kanë mbijetuar kohës me profesionalizëm dhe me njohje, kanë shumë më tepër kualitete sesa disa emërime apo promovime, eksperimente të jetës politike).
Senati ka edhe një përparësi tjetër: përfaqësimi i territoreve. Me një ndarje shumë të fortë midis pushtetit vendor dhe atij qendror, aq më tepër nëpërmjet sistemit proporcional rajonal, ne do të duhej të vendosim një ekuilibër midis numrit të njerëzve dhe territoreve: qeverisja e ekuilibruar është qeverisje e njerëzve dhe territoreve.
Ne kemi një shkëputje të thellë midis pushtetit qendror dhe atij vendor dhe për pasojë, elementi lokal ose rajonal do të duhet të përfaqësohej më mirë. Pra, ndarja e Parlamentit mund të ishte faza e parë e pjesëmarrjes dhe e identifikimit më dinamik të gjendjes dhe “humorit politik” ku ndodhet shoqëria. Kjo, pa prekur thelbin e qeverisë, që është qeverisja dhe menaxhimi i parave.
Senati është një dhomë parlamentare, që do të ruante elitën politike dhe ekzekutive në kuptimin e përfitimit nga eksperienca e tyre. Gjithsesi, alternativë tjetër, si një balancues me traditën e deritanishme të Parlamentit njëdhomësh, zgjidhja do të ishte një President i zgjedhur nga populli me kompetenca më të zgjeruara sesa sot, aq sa të krijonin mundësinë për kontroll më të lartë të akteve të Parlamentit. Kurrsesi një President me fuqi ekzekutive që të rrezikohet si në një Republikë Presidenciale apo gjysmëpresidenciale. Fqinji ynë ballkanik, Maqedonia e Veriut, ka bërë këtë zgjedhje për shembull./Panorama