Vllaznia ka prezantuar para mediave trajnerin Qatip Osmani. Ashtu siç njoftoi dy ditë më parë Shqiptarja.com, shqiptari nga Maqedonia e Veriut do jetë pasardhësi i të shkarkuarit Migen Memelli.
Trajneri doli para gazetarëve së bashku me ndihmësin e tij Bashkim Livoreka dhe drejtorin sportiv Elvis Plori. Trajneri ka vlerësuar punën e bërë dhe ka kërkuar që nesër në shtëpi kundër Erzenit në 17:00 të vijë kthesa.
“Ftesa për në Shkodër? Jam i lumtur që jam në një ekip si Vllaznia. Shkodra njihet si qytet futbolli, di përgjegjësinë dhe pritshmëritë nga kryesia dhe tifozët. Jam ambicioz dhe sigurisht me kalimin e kohës priten rezultatet. Vllaznia është një ekip që synon kreun e tabelës. Mendoj se të gjithë së bashku, me tifozët do ia arrijmë qëllimit. Kur kam filluar bisedat me drejtuesit, jam interesuar për ekipin. Ka disa probleme që duhet t’i kalojmë sa më parë. Kemi edhe lojtarë të dëmtuar.
Objektiva? Ka histori dhe traditë, nëntë herë kampion në Shqipëri dhe tetë herë në Kupë. Kjo tregon se çfarë ekipi është.
Sulmues? E preferoj një sulmues. Duhet të fokusohemi në ekipin që kemi. Kam bërë një stërvitje. Është herët për të bërë vlerësime. Vllaznia ka lojtarë që mund të luajnë mirë, kanë cilësi.
Nesër kundër Erzenit? Situata na dikton mos kemi shumë ndërrime, kjo prej dëmtimeve. Do mundohemi të kemi përmirësim në sulm. Nuk kemi kohë për shumë ndryshime.
Është një nga problemet, që nuk e kam ndërtuar vetë ekipin. Në bisedë, them se trajneri Memelli ka bërë një punë të mirë. Edhe mua si trajner më kanë ndodhur këto situata. Ne si trajnerë edhe fati na kthen shpinën, kam parë ndeshjet dhe lojërat nuk kanë qenë të dobëta. Nesër jemi për fitore.
Suksesi te Shkëndija dhe filozofia e re në ekip? Synimet e klubit janë kreu i tabelës. Kam preferuar lojën sulmuese, ku nëpërmjet kombinimeve të shkojmë te rezultati. Mendoj se me kthimin e lojtarëve që kemi të lënduar, do ecim në rrugë të mirë.
Erzeni? Këtë vit ka qenë serioz, që secili ekip ka hasur në vështirësi për t’i mundur. Kemi bërë një plan që në afatin kalimtar të janarit do bëjmë hapa konkretë për përforcimin. Kam Bashkim Livorekën si krah të djathtë në stol”, tha Qatip Osmani.
Pas dhjetë javësh kampionat, Vllaznia me 12 pikë mban vendin e shtatë dhe humbja 1-0 me Kukësin ishte fatale për fatet e Migen Memellit.