Marrin fund dilemat për Alen Sherrin. Portieri shkodran është futbollisti më i ri i Laçit, paçka se Vllaznia pretendon se ai nuk do të largohet.

“E vërteta është që kam arritur një marrëveshje me Laçin dhe sot hedh firmën nën kontratë”, sqaroi Sherri për “Panorama Sport”.

Portieri ka qenë në bisedime konkrete me Kukësin, por klubi verilindor la gjithçka pezull për shkak se priste që të joshte kapitenin e Partizanit, Alban Hoxha.

Në këto kushte përfitoi Laçi, që bindi portierin me ofertën. Kësisoj, përpjekjet e Vllaznisë për të mbajtur portierin nuk vlejnë, aq më tepër që ai ka përfunduar kontratën me klubin shkodran.