Mimi Kodheli, deputete e Partisë Socialiste dhe ish-ministre e Mbrojtjes për 4 vite, thotë se Partia Socialiste mbetet partia me demokratike në Shqipëri. Ajo shprehet se, gjithmonë brenda partisë ka mendim ndryshe, por edhe kërkesë llogarie ndaj qeverisë së dalë prej saj.

“Pandemia na i ka limituar takimet brenda PS. E para, vazhdoj të jem e bindur se demokracia brenda Partisë Socialiste është një demokraci që është zhvilluar në ditë, nuk e është e djeshme apo e pardjeshme, dhe vazhdon të mbetet e tillë dhe nuk ka të krahasuar me jetën e asnjë partie tjetër, cilado qofshin ato. Kjo është një vlerë që ne duhet ta mbajmë dhe ruajmë.

Ka gjithmonë, jo zëra kundër, por zëra ndryshe, rrahje mendimesh brenda partisë, ka gjithmonë kërkesë llogarie shumë më tepër nga çfarë ka brenda partive të tjera. A është kjo e mjaftueshme krahasuar me demokracinë e brendshme të një partie të Evropës Perëndimore me demokraci të zhvilluar? Unë nuk e di pasi nuk kam qenë ndonjëherë brenda jetës partiake të këtyre partive” shprehet znj. Kodheli.

Ish-ministrja e Mbrojtjes gjatë mandatit të parë të qeverisë “Rama” është e mendimit se gjatë 15 vite që PS është drejtuar nga Edi Rama, ajo është bërë më demokratike brenda saj ndërsa shton se, mediat shpeshherë nuk janë marrë dhe thelbin e asaj që ka ndodhur me PS

“Është bërë më demokratike, brenda partisë ka gjithmonë mendim ndryshe. Nuk ka absolutizma, nuk ka vendimmarrje që nuk kanë pasur debat. Mendoj se vazhdojmë të kemi të njëjtin ritëm antagonizmi mes njëri-tjetrit dhe vazhdojmë ta vëmë qeverinë në presion edhe për ligjin kur nuk e sjell të rregulluar ashtu siç duhet.

Shpeshherë ka shumë ithnim mes nesh, shumë negativitet, ka shumë frustrim, dhe kur mendoj që kemi kaq shumë pak dhe jetojmë në të njëjtin vend, jemi për të njëjtin të ardhme, mendoj se duhet të fillojmë të relaksohemi pak dhe në politikë. Shpeshherë kemi bërë debate që në fund nuk i kanë vlejtur thelbit të çështjes, kanë qenë mbi baza personale. Me urtësi gjërat zgjidhen më mirë se sa me inat. Jemi shumë pak për të qenë inatçor me njëri-tjetrin” tha znj. Kodheli.