Shpërblimi i premtuar nga qeveria për bluzat e bardha në vijën e zjarrit me COVID 19 duket se do të jetë i dedikuar vetëm për spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi”.

Urgjencat e spitaleve rajonale edhe pse kanë qenë të ekspozuara ndaj rrezikut është menduar një shpërblim simbolik prej 5 mijë lekësh për ta.

Personeli i Urgjencës së spitalit rajonal të Lezhës e ka refuzuar shpërblimin të dhënë nga qeveria për muajin mars dhe kërkojnë që këto para të shkojnë për familjet në nevojë, pasi ju ishin premtuar 500 euro për infermierët dhe 1 mijë euro për mjekët për periudhen e emergjencës së Covid-19.

Ata thonë se nuk do e ndërpresin asnjë ditë punën, por shprehen të indinjuar për mungesën e vlerësimit për ta.

Reagon PD: Rama të mbajë premtimin për shpërblimin e mjekëve

Protestës së bluzave të bardha të Lezhës i është bashkuar edhe dega e Partisë Demokratike në këtë qytet, si reagim ndaj sakrificës së tyre dhe të së drejtës së shpërblimit përballë rrezikut ndaj pandemisë nga Coronavirusi.

“Partia Demokratike dënon aktin e mashtrimit të Rilindjes për pagat e mjekëve dhe infermierëve. Ai që qeverisë nga “burgu” i Surrelit me facebook shqiptarët, mashtroi publikisht, duke iu dhëne si shpërblim personelit shendetësor të Lezhës jo 1000 euro për doktorët dhe 500 euro për infermierët, por tallet duke i “shpërblyer” me nga 5 mijë lekë. PD i bën thirrje Edi Ramës të mbajë premtimin për shpërblimin e mjekëve si detyrim ndaj punës së shkëlqyer që po bëjnë dhe të ndalë panikun që përhap vetë nga bodrumi i Surrelit” thuhet në deklaratë.