Kryeministri Edi Rama inspektoi kantierin e punimeve në lagjen 300-vjeçare të Zdrales, një zonë historike e Shkodrës që po transformohet në një hapësirë pedonale.
Projekti synon ta kthejë këtë lagje në një destinacion të ri tregtar, social dhe turistik, duke i shtuar vlerë ofertës turistike të qytetit. Faza e parë e projektit, e cila është në proces, pritet të përfundojë në qershor të këtij viti.
Së bashku me Ramën, ishte prefektja e qarkut Majlina Angoni dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci i cili së bashku me arkitektët shpjeguan projektin që po zbatohet në lagjen e Zdrales. Rama thotë se ky projekt do e transformojë dhe vlerën ekonomike të zonës, duke përfshirë banesat dhe bizneset aty që do përfitojnë nga zhvillimi dhe tërheqja atraktive.
Nuk munguan as batutat me qytetarët në zonë, një prej të cilëve i kërkoi Ramës të vinte për kafe, por kryeministri u shpreh se duhet bërë puna më parë.
‘A ta bëjmë punën një herë pastaj kafen, a të keqen vëllai?’