Në Apelin e Gjykatës së Posaçme po shqyrtohet kërkesa e SPAK për rikthimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në arrest shtëpie. Engert Pëllumbi është gjyqtari që do të shqyrtojë ankimin e SPAK, kundër vendimit të gjyqtares së GJKKO, Floreja Davidhi që liroi Berishën nga arresti i shtëpisë. Seanca nisi në 10:00, ndërsa mbrojtja e Berishës kërkon lënien në fuqi heqjen e masës.
SPAK kërkon kthimin e Berishës në arrest shtëpie, i cili është marrë i pandehur për korrupsion pasiv në dosjen për aferën e privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’.
Dy prokurorët që po hetuan aferën ‘Partizani’ janë Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët tashmë dosjen e kanë kaluar për gjykim në GJKKO. Seanca paraprake për të vendosur nëse kalohet dosja për gjykim mbahet më 6 janar me gjyqtaren Flojera Davidhi, po e njëjta që i hoqi Berishës masën arrest në shtëpi më 27 nëntor.
Prej 30 dhjetorit të vitit 2023, kryetari i PD Sali Berisha u mbyll në shtëpi, pasi refuzoi në mënyrë të vazhdueshme të zbatojë masën e parë që gjykata vendosi ndaj tij, atë të detyrimit për tu paraqitur, si person nën akuzë për korrupsion pasiv.
SPAK e akuzon ish-kryeministrin Berisha se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Dosja ‘Partizani’ është ndarë me fraksione nga SPAK që po vijon hetimet për pasurinë e familjes së ish-kryeministrit ‘non grata’ Sali Berisha dhe përfitimet që mund të kenë familjarët e tij.