Në mbledhjen e kësaj të hëne qeveria ka marrë vendimin për t’i shtuar administratës publike një ditë më shumë pushim me rastin e festës së Vitit të ri. Përveç datave 1 dhe 2 janar është caktuar pushim edhe e premtja e 3 janarit. Duke iu shtuar edhe fundjava administrata do të jetë pushim plot 5 ditë për t’u kthyer në detyrë në 6 janar.
“Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi caktimin e ditës së premte, datë 3.1.2025, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore. Dita e punës, e datës 3.1.2025, do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda gjashtëmujorit të parë të atij viti.
Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare” – thuhet në vendimin e qeverisë të firmosur nga Belinda Balluku me porosi të Edi Ramës. ©LAPSI.al