Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit është pyetur nga gazetarët nëse kryebashkiakut Erion Veliajt po i cënohet jeta politike pas hetimit që ka nisur SPAK ndaj tij.

Në përgjigjen e tij, Rama u shpreh se Veliajt po i cënohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik dhe jo nga Prokuroria e Posaçme. Ndërkohë lidhur me procesin e hetimit ndaj kryebashkiakut tha se i qëndron vendimit për të mos komentuar çështje që ende i përkasin drejtësisë. Kryeministri tha se komentet i bën vetëm për vendimet e formave të prera. Sipas tij, linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm.

“Erion Velisë po i cënohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik, i bërë jo nga insitucioni përkatës po nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cënohet dinjiteti nga prokuroret dhe gjykatës të ulur nëpër klube mediatike apo të fshehur pas ekraneve të portaleve sociale, këtë e di me siguri. Përsa i përket pjesës tjetër nuk bën përjashtim askush, nga ajo që kam thënë. Nuk bëj komente për çështje që i takojnë drejtësisë. Bëj koment për një vendim të formës së prerë siç ka qenë ajo për një shpifës. Për një vendim që ka qenë më drejtë dhe i mirëseardhur për mua, në këtë vend ku shpifja është bërë mbret dhe shpifja është kthyer në skllav. Linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm dhe kërkimi i gijotinës për të është skandaloz.”, tha Rama.