Pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 2025 dhe Partia Demokratike ka kompletuar tashmë listën e drejtuesve politikë, të cilët do të mbajnë mbi supe peshën e organizimit të fushatës elektorale.
Edhe pse Ervin Salianji ishte shprehur se do të ishte drejtues politik për qarkun e Elbasanit nga qelia e tij në burgun e Fierit, pas vendimit të Apelit për dënimin e tij me 1 vit heqje lirie, Sali Berisha ka vendosur ta zëvendësojë me një tjetër deputet.
Rolin e drejtuesit politik në Elbasan do ta marrë Tomor Alizoti, i cili më parë ka drejtuar fushatën e zgjedhjeve të vitit 2021 në qarkun e Beratit, kur PD fitoi dy mandate deputetësh.
Vendimi më i bujshëm i Berishës është ai që i hap rrugë rikthimit të Jozefina Topallit në politikën aktive. Ish-kryeparlamentarja do të jetë drejtuesja politike e demokratëve për Diasporën.
Sakaq, kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja do t’i besohet roli i drejtuesit politik për degët Kavajë dhe Rrogozhinë, ndërsa në krye të qarkut të Tiranës është konfirmuar më herët Belind Këlliçi.
DREJTUESIT E PD NË QARQE:
1. Tiranë – Belind Këlliçi (Degët Kavajë e Rrogozhinë – Fisnik Qose)
2. Durrës – Oerd Bylykbashi
3. Shkodër – Luçiano Boçi
4. Lezhë – Agron Gjekmarkaj
5. Fier – Gazment Bardhi
6. Elbasan – Tomor Alizoti
7. Korçë – Ivi Kaso
8. Kukës – Flamur Hoxha
9. Gjirokastër – Tritan Shehu
10. Vlorë – Bujar Leksaj
11. Berat – Eno Bozdo
12. Dibër – Xhelal Mziu
13. Diaspora – Jozefina Topalli