Masakra me 3 të vrarë dhe 1 të plagosur, ku plumbat nuk kursyen as kalimtarë të rastit, zhvendosi protestën e opozitës në Shkodër. Protesta e ideuar në formën e marshimit të heshtur, ku u shpalos një banderolë e madhe në të cilën shkruhej “Qytetërimi është më i fortë se krimi, po na vrasin, duhet reagim” nisi nga bashkia e Shkodrës dhe vijoi në pedonale për afro 1 orë.
Ish krye-bashkiaku i djathtë i Shkodrës, Bardh Spahia tha se protesta është për të dhënë mesazhin se qytetarët nuk do t’i nënshtrohen krimit, edhe pse ai ka mburojë shtetin.
Nga Tirana, protestës iu bashkua edhe grupi parlamentar i PD. Kreu i saj Gazment Bardhi tha se krimi i organizuar shantazhon qytetarë e biznese, por autoritetet janë memece përballë tij.
Ky është një organizim qytetar dhe secili prej nesh pavarësisht pozicioneve politike që kemi, jemi këtu si qytetar për të shprehur mosdakordësinë, mosnënshtrimin tonë ndaj pushtetit që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Ngjarja ishte e paralajmëruar, mund të ishte parandaluar. Është një ngjarje e rëndë që krijon terror për qytetarët. Pushteti që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër për shkak të lidhjeve të forta me politikën dhe qeverisjen, është një fenomen që duhet të kundërshtohet” tha Bardhi.
Marshimi protestë u organizua në kryeqendrën e veriut, aty ku tre ditë më parë u trondit nga një atentat me 3 të vrarë.
“Shkodra e gjithë Shqipëria duhet të çohet ndaj të gjithë atyre njerëzve që i kanë marrë fytyrën jashtë dhe brenda po marrin jetë’, tha deputeti i PD-së, Tomor Alizoti.
Për pak minuta u ndalën edhe para institucionit të prefekturës. Marshimi ishte konceptuar në heshtje, por deputetët demokratët përcillinin mesazhet e këtij manifesti kur gazetarët u drejtonin mikrofonin. Ndonëse e thirrur si reagim kundër ngjarjes kriminale që tronditi Dobraçin, në protestën marshim, nuk munguan as thirrjet politike për qeveri teknike dhe lirimin e Sali Berishës
Domosdoshmëria për qeveri teknike është faktike. Zgjedhjet politikë dhe bashkinë i mori me anë të krimit. Do të vijojmë të kërkojmë qeveri teknike, dhënie liri të liderit të opozitës dhe kthimin e Shkodrës qytetarëve dhe jo bandave e krimit” tha Luçiano Boçi.
Marshimi protestë ishte i qetë! Nisi në sheshin para bashkisë, pedonale ‘Koli Idromeno’- Zona e Dollarit pranë Xhamisë Ebu Beker- Ish 5 heronjte – Parrucë – Bashkia Shkodër.
Këtu në sheshin para bashkisë në disa momente pati militantë të cilët bëni thirrje dhe kundër Edi Ramës apo kryetarit të bashkisë së Shkodrës, Benet Beci. Ndërsa në godinë vendosën dhe disa pankarta të zeza ku shkruhej
“Shkodra e qytetënimit nuk mund t’i lihet në dorë krimit!
Benet as për sy e faqe nuk mund të reagosh maj naçe!
Qytetënimi asht ma i fortë se krimi!
Shtet + krim = shaktërrim!
Armët e krimit nuk janë më të forta se rranjët e qytetënimit!
Kjo është protesta e tretë, si pjesë e aksionit të ‘mosbindjes civile’ që opozita ndërmori pas arrestimit të Ervin Salianjit. Ndryshe nga dy protestat e para, kjo e sotmja ishte paqësore.
Deri tani Opozita ka organizuar 2 protesta, atë të 29 tetorit duke bllokuar 6 rrethrrotullimet e akseve kryesore nacionale si dhe më 7 tetor në Tiranë ku u hodhën molotovë drejt kryeministrisë, godinave të ministrive dhe selisë PS.
Më 30 tetor 2024 Shkodra u trondit nga një atentat i mirëorganizuar i mori jetën 3 personave, ndërsa një u plagos rëndë. Mes viktimave është dhe Flutura Basha një qytetare e pafajshme ndërsa i plagosur rëndë mbeti bashkëshorti i saj.