Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka deklaruar se sezoni veror i këtij viti, ishte një sezon turistik shumë i suksesshëm.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, Kumbaro u shpreh se referuar shifrave, kishim një rritje të numrit të turistëve dhe të ardhurave të përfituara prej saj.
“Deri në fund të gushtit mund ta konsiderojmë një sezon verior të suksesshëm. Nëse gushti u mbyll me 8.5 milionë vizitorë që e shprehur në përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të viti të kaluar, kemi rreth 20 përqind më shumë vizitorë të huaj. Pra e theksojmë vizitorë të huaj sepse është e vështirë për momentin të llogarisim turizmin vendas, por që është një tjetër fluks, jo vetëm i banorëve që jetojnë dhe janë rezidentë në Shqipëri, por edhe i shqiptarëve që kanë vendqëndrim dhe punë në shtete të tjera, kur futën në territorin tonë, futen me pasaportë shqiptare. Ata nuk i llogarisim dot në këtë shifër. Kriteri që kemi zgjedhur është që vizitorët që hyjnë në sistemin TIMS në të gjitha pikate kufirit me pasaportë të huaj, i llogarisim si turistë të huaj”, u shpreh ajo.