Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka folur edhe në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama, se lejet për shezllone nuk do të jepen më për beach bar-et apo restorantet, por vetëm për hotelet.
Kumbaro u shpreh se shezllonet nuk duhet të shihen si një biznes i mirëfilltë apo mënyrë për të fituar para sezonale, sepse ky nuk është një investim i qendrueshëm.
Ministrja shtoi se shezllonët i takon t’i mbajnë ata që kanë bërë investime miliona euroshe.
“Janë 11 bashki bregdetare e të cilët jemi në komunikim intensive. Kemi nxjerrë edhe konkluzionet tona. Bashkitë bregdetare përcaktojnë ndarjen e bregdetit të tyre në parcela të cilat mund të jepen si stacione plazhi në menaxhim. Ajo që konstatuam në 2 vitet e fundit e ka shoqëruar numrin e madh në rritje të turizmit, është zelli për të mbushur plazhet, pavarësisht se VKM thotë 30 përqind e vijës bregdetare duhet të jetë publike, dhe në realitet 50 përqind e vijës ishte publike.
Këtu kemi pasur një keqkuptim të madh nga bizneset të cilët menduan se fluksi i turistëve do të vijë i gjithi të rrijë në plazh. Nuk vijnë të gjithë të rrinë 2 javë në plazh, vijnë edhe për malin apo turizëm kulturor. Mendoj që ka qenë e gabuar nga sektori privat kjo rendje pas shezlloneve si biznes i mirëfilltë. Shezllonet nuk mund të jenë biznesi i parë. Biznesi i parë në turizëm janë shërbimet e qëndrueshëm, pra hoteli me restorante me bare e shesh lodrash.