Shqipëria është gati të nisë aventurën e saj në Nations League, me sfidën e parë atë ndaj Ukrainës, që do të luhet në Pragë. Me kujtimin e bukur për atë se çfarë dhuroi ekipi ynë kombëtar, në Euro 2024 në Gjermani, tashmë rikthehemi sërish në fushë, këtë herë me objektivin për të bërë mirë, e pse jo për të dal të parët në grup, në Nations League.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, një ditë përpara sfidës, ishin prezentë trajneri Sylvinho si dhe mesfushori Ylber Ramadani.
Për Sylvinhon ndeshja ndaj Ukrainës është shumë e rëndësishme, por ai ndau fillimisht një shqetësim lidhur me gjendjen e lojtarëve që ka në dispozicion si dhe foli edhe për mungesat e rëndësishme që ekipi ynë do të ketë në këtë sfidë:
“Në punën e kombëtares ndodh. Kam parë që shumë ekipe të tjera kanë humbur lojtarë, është moment i vështirë pas Eurpianit. Kanë bërë pak pushime, kthehen, bëjnë fazë përgatitore, luajnë 2-3 ndeshje dhe vijnë në kombëtare”.
“Në Varshavë, në ndeshjen e parë kur morëm ekipin, humbëm Ismajlin e Gjimshitin, tani humbëm Gjimshitin e Ajetin. Folëm edhe për lojtarët që kanë kaluar pak ditë pushimi. Kombëtarja është e hapur, një mundësi për të gjithë, të shkohet në fushë dhe të bëhet më e mira. Nuk janë 25 lojtarë. Unë marr 23-24, por lë në shtëpi 10-12. Është kështu, kjo është puna e Kombëtares”.