Të dashur qytetarë të Shkodrës

Këto ditë,qyteti ynë ka përjetuar një valë tronditëse ngjarjesh të paprecedenta, duke përfshirë krime të egra deri në shpërthime me tritol që kanë kërcënuar sigurinë dhe paqen tonë. Këto ngjarje tragjike janë dëshmi e një situate që nuk mund të tolerohet më, dhe është e qartë se nevojiten masa të menjëhershme për të mbrojtur jetët dhe pronat e qytetarëve tanë.

Reagimi i ngadaltë, i dobët dhe i pamjaftueshëm i forcave të policisë është i papranueshëm. Qytetarët e Shkodrës meritojnë mbrojtje në kohë të plotë nga ata që janë betuar të na shërbejnë dhe të na mbrojnë. Nëse policia nuk mund të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të parandaluar krimet, atëherë kemi dështuar në përmbushjen e detyrave tona si shoqëri.

Për më tepër, mungesa e rezultateve konkrete nga Ministria e Brendshme është një tjetër tregues i shqetësueshëm i krizës që po përjetojmë. Qytetarët tonë nuk mund të jetojnë me frikën që u rrezikohet jeta dhe prona.

Në këtë situatë të rëndë, kërkoj nga autoritetet përgjegjëse urgjentisht marrjen e masave, të rishikojnë pa humbur kohë strategjitë e tyre dhe të veprojne konkretisht larg interesave të errëta, korruptive e kriminale për të rikthyer rendin dhe sigurinë në qytetin tonë. Nuk ka më kohë për fjalë të kota, është koha për aksion të vendosur dhe efikas.

Shkodra nuk mund të jetë një arenë krimi. E ardhmja e qytetit tonë varet nga siguria dhe paqja që ne të gjithë meritojmë. Bashkë, le të kërkojmë drejtësi!!
#shkodraepara
#nekrahteqytetareve
#eardhmjaeshtenjepremtim