Dy fjalë për “Shkodra Jazz Festival” dhe “Rrok Academy” 2024
Përmes mediumit lokal dhe rrjeteve sociale, u informova që sot ka startuar në Shkodër edicioni i 15-të i “Shkodra Jazz Festival” dhe përkatësisht edicioni i 8-të i “Rrok Academy”, përmes konferencës për shtyp të organizatorëve të këtij eventi!
Kam qenë pjesë organizative e disa edicioneve të këtij aktiviteti, për shkak të detyrës (që nga rikthimi i tij në vitin 2016-të dhe që nga lindja e “Rrok Academy në vitin 2017)!
Personalisht, e vlerësoj maksimalisht punën serioze dhe përshkushtimin e realizimit të një eventi unik që është markë e këtij qyteti, nga një “makineri” pune, të apasionuar për artin, por mbi të gjitha për profesionalizmin dhe përkushtimin që kanë demostruar ndër vite për rritjen e kapaciteteve artistike të brezave të rinj!
Them “makineri” për ekipin e “Shkodra Jazz Festival” dhe “Rrok Academy”, të cilët me këmbëngulje dhe sfida të gjithçfarëllojshme, kanë mbajtë lart emrin e muzikës së mirë, duke mos pranuar kurrë të bien në nivelin mediokër dhe komercial, siç kanë përfunduar festivale të njohura në vend, e që tarifohen me shuma ekstreme nga taksat tona!
E rikthyer në dhjetor të vitit 2016 (si një vlerë unike e qytetit e përtej) “Shkodra Jazz Festival”, e më pas “Rrok Academy”, u bë marka prezantuese dinjitoze e qytetit të artit dhe kulturës edhe përtej kufijve të Shkodrës dhe Shqipërisë, siç kishte lindur në fakt qysh në krye të herës në vitin 2005!
Si ish drejtuese e kulturës në Bashkinë e Shkodrës, sot u ndjeva shumë e zhgënjyer, e habitur sigurisht, (mbas mbështetjes ekselente ekonomike dhe jo vetëm, që Bashkia Shkodër i ka dhënë këtij eventi ndër vite) kur themeluesit dhe organizatorët e këtij festivali prestigjioz, shpreheshin në konferencën hapëse për shtyp, që fondet dhe mbështetja financiare e organeve shtetërore lokale dhe kombëtare ishin minimale dhe shumë modeste për realizimin e këtij eventi, i cili në të vërtetë nuk është vetëm “koncerti i radhës”, por është model unik dhe rruga që duhet të ndjekë arti shqiptar në përgjithësi dhe ai shkodran në veçanti! Ndërkohë që milionat e vërtetë shkojnë për “tallavarat” e përnatshme e të përditshme që po ndodhin në këtë qytet…
Bashkia Shkodër dhe të gjithë organet shtetërore, jo vetëm që duhet të ishin në krah (siç ka ndodhur vitet paraardhëse), të këtij eventi, por duhet ta mbanin ende si markën më serioze të këtij qytet, i cili ndodh çdo gusht, prej 15 vitesh!
Përtej çdo sfide, përtej çdo braktisje nga organet shtetërore, urime dhe suksese “Shkodra Jazz Festival” dhe “Rrok Academy”
You are so RROK ????
Shkodra Jazz Festival
Rrok Academy