Deti dhe mali janë dy alternativat kryesore të stinës më të nxehtë të vitit. Sidoqoftë, shkodranët nuk e kanë braktisur qytetin në këtë të dielë korriku. Mes gjelbërimit të pemëve dhe fushëpamjes së Bunës, shëtitorja e Molos është vendi i preferuar për shumë prej tyre. Në këtë zonë të qytetit, temperaturat e larta ndihen më pak.


Përtej natyrës së bukur që të ofron qëndrimi pranë kësaj shëtitore, qytetarët janë të mendimit se ajo ka nevojë për ndërhyrje duke nisur nga stolat dhe mbajtja pastër e mjedisit përreth.

Distanca jo e largët nga qendra e qytetit, rreth 2.5 km, e bëjnë këtë shëtitore një pikë të frekuentuar nga të gjitha moshat. Ajo mund të aksesohet lehtësisht si në këmbë ashtu edhe me biçikletë, mjetin e preferuar të shkodranëve.