/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, vitin e ardhshëm do të bëhet përsëri një ndërhyrje sa i përket hapësirave publike në plazh sipas shembullit të vendeve si Spanja, Portugalia, Franca dhe Turqia.
Në fjalën e tij gjatë një takimi me kryetarët e bashkive për përshpejtimin dhe monitorimin e procesit të legalizimit, si prioritet i qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, Rama foli edhe për plazhet publike.
“Për plazhet publike ka një konfuzion të madh. Unë kam qenë në kontakt me ju. Plazhet publike janë aty. Plazhi publik i Sarandës dihet botërisht që është në vijën e gjithë qytetit, menaxhohet nga bashkia e Sarandës, është komplet i lirë për të gjithë”, tha Rama.
“Kemi filluar të studiojmë ndërhyrjet që ka bërë Spanja, Portugalia, Franca, Turqia së fundmi edhe në këtë aspekt dhe vitin e ardhshëm do të duhet të bëjmë përsëri një ndërhyrje sa i përket hapësira publike në plazh të një natyre pak më agresive”, u shpreh Rama.
Por, shtoi Rama, “është shumë e rëndësishme që edhe në këtë pikë bashkitë të jenë në krye të punës sa i përket komunikimit”.
Për pastrimin, Rama tha se, “është më mirë sesa vjet. Vjet ishte më mirë se parvjet. Por përsëri duhet qëndruar mbi kokë.
“Jam bërë bajat duke sjellë si shembull policinë e Lezhës në bashki, por është fakt nuk ke çfarë i bën, është pasqyrë pastërtie”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ndërkohë, shtoi Rama, “është bërë progres gjithandej, por duhet kuptuar që nuk është thjesht tek plazhet çështja, është edhe brenda vendit. Liqeni i Komanit pastrohet çdo dy javë me forca të shumta, do çojmë dhe ushtrinë për ta pastruar. Por kjo histori që banorët hidh dhe ushtria pastro, nuk mund të vazhdojë në pafundësi”.
Rama gjithashtu u shpreh se do të investohet edhe për rrugën e Komanit.
“Zona e veriut po njeh një bum të jashtëzakonshëm turistik. E dimë të gjithë. Tani do investojmë edhe rrugën e Komanit se i ka ardhur radha. Por ama liqeni i mbushur çdo dy javë me plehra që i hedhin rrugëve sikur kanë turp t’i hedhin aty ku duhet hedhur dhe prandaj i hedhin aty ku s’duhen hedhur”, tha Rama.