Ilir Beqaj u arrestua me urdhër të SPAK lidhur me abuzimin me fondet e BE gjatë kohës kur drejtonte SASPAC, ndërsa ai hetohej lidhur me aferën 100 mln euro të konçensionit të sterilizimit. Beqaj është tashmë një nga shumë ministrat e qeverive Rama, të cilët do të duhet të përballen me drejtësinë. Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja, Klodiana Lala trajtoi këtë temë ku u tha se një nga rastet më të habitshme se si një ministër i cili ndërkohë që ishte në hetim për një tjetër aferë korruptive ndaj tij, pikërisht gjatë hetimit ndaj tij nga SPAK, përfshihet nëse dyshimi i Prokurorisë së Posaçme është i vërtetë, në një tjetër skandal korruptiv.
Ku bashkë me të tashmë janë të ndaluar edhe 5 persona të tjerë, pjesë e onturazhit të tij. Edhe këta të dyshuar si pjesë e skemës ku paratë e BE-së në ndihmë të zhvillimit të biznesve të vogla, i shpërdoronin duke i fshehur në biznese private kryesisht në fushën e kulinarisë.
Apo duke krijuar fatura fiktive, për dreka dhe darka të pakonsumuara në këto restorante, ku shpesh të ftuar ishin edhe delegacione të huaja, ndër to edhe të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Dosja Hetimore
Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se shtetasi Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim Ermal Kurtula i emëruar nga vetë personi nën hetim Ilir Beqaj në datën 26 Maj 2022 si koordinator i zyrës ‘Facility Point’ për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive.
Por çfarë janë këto procedura fiktive të cilat janë zbuluar nga SPAK, dhe si fshihej korrupsioni përmes këtyre marifeteve, ku si koperturë e Beqaj thuhet të ketë shërbyer njeriu i tij Ermal Kurtula, të cilin e merrte me vete në çdo dikaster që shkonte.
A është kaq e thjeshtë që nëpërmjet këtyre procedurave të grabiten paratë e taksapaguesve, qoftë edhe ata evropianë si në rastin konkret. Dhe pse janë ndjerë kaq të sigurtë Beqaj dhe të tijët në zhvillimin e kësaj afere, që nuk do të zbulohen?
Dosja Hetimore
Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: ‘Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri’, si dhe ‘Konferenca e Energjitikës’, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.
Në hetimin e tij SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, kanë mundur të zbulojnë se urdhërues i këtyre procdurave fiktive që më pas përfunduan në gllabërimin apo tjetërsimin e fondeve të BE-së, ishte Ilir Beqaj, në këtë kohë në krye të zyrës së SASPAC, që merrej pikërisht me menaxhimin e këtyre fondeve.
Dosja Hetimore
Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.