Qeveria shqiptare po i kushton vëmendje të veçantë fuqizimit të ushtrisë, duke dhënë mbështetjen e nevojshme buxhetore për këtë qëllim. Referuar programit buxhetor afatmesëm 2025-2027, të botuar në Fletoren Zyrtare, në 3 vitet e ardhshëm buxheti për mbrojtjen parashikohet në nivelin 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në vlerë në vlerë nominale ka një rritje prej mesatarisht 2.7 miliardë lekë apo 27 milionë euro për çdo vit.
Konkretisht për 2024 buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes është 48.3 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2027 parashikohet të shkojë në 56.5 miliardë lekë.
Buxheti i vënë në dispozicion synon të garantojë arritjen e kapaciteteve operacionale të deklaruara në kuadër të aleancës së NATO-s në tre vitet e ardhshëm.
Me këtë buxhet synohet të vijohet pajisja e Forcave Tokësore me armatim të ri të ndërveprueshëm me aleatët e NATO, të zgjerohen investimet në infrastrukturë për përmirësimin e mjediseve të punës dhe ushtarake dhe të modernizohen pajisjet dhe sistemet kompjuterike.
Sa i takon zërave të shpenzimeve, vihet re se fondet më të mëdha janë alokuar për forcat e luftimit, me një rritje graduale nga 25 miliardë lekë që janë parashikuar në vitin 2024 në 33 miliardë lekë në vitin 2027, me një kapërcim prej 32 %. Po ashtu një pjesë të konsiderueshme zë edhe mbështetja e luftimit. Në vitin 2027 forcat e luftimit do të zënë një peshë prej 58.4% të buxhetit total të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në Planin Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024-2033 (PAZHFA), i cili është një nga dokumentet kryesore në fushën e mbrojtjes, parashikohet zhvillimin e kapaciteteve të reja luftarake të cilat sjellin domosdoshmërinë për ndryshim strukture dhe rritje të numrit të personelit.
Në periudhën afatshkurtër do të ruhet numri i personelit aktiv prej 8500 plus 30% shtesë personel reservist, ndërsa në periudhën afatgjatë plani ka tendencë të rritjes së numrit të personelit aktiv në 9500, i cili do të mbajë në konsideratë zhvillimin e një studimi të kategorive të personelit, ndërsa numri i personelit rezervist do të caktohet në varësi të vlerësimeve periodike.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.