Pas pothuajse 2 vite e gjysmë, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha janë rikthyer në selinë e tyre në qytetin e Shkodrës duke zhvilluar mbledhjen e parë me drejtuesin politik Luçiano Boçi. Qëllimi i kësaj mbledhje ishte organizimi i protestës së opozitës më 11 korrik përpara Kryeministrisë.
Boçi në fjalën e tij gjatë mbledhjes tha se çdo anëtar i PD duhet të organizohet maksimalisht për të mundësuar sa më shumë qytetarë në këtë protestë kundër qeverisë që sipas tij është e kapur nga bandat kriminale.
“Më vjen mirë që jemi kthyer në këtë seli këtu në Shkodër dhe që tashmë edhe ligjërisht jemi Partia Demokratike se moralisht kemi qenë prej fillimit. Ne përballemi çdo ditë me banda elektorale e kriminale të qeverisë, banda e bashkisë Shkodër, banda e policisë së shtetit që të mos përsërisim gjëra që ju i dini shumë mirë. Përdorin bandat, grabisin, patronazhojnë, blejnë votat por kjo nuk duhet që të na demoralizojë. Këtu ka qenë baza e PD dhe i kemi borxh Shkodrës. Kemi përballuar përplasje nga të pamenduara më parë. Kam ardhur si demokrat i thjeshtë që jam i revoltuar dhe për t’ju bashkuar edhe revoltës tuaj. Rama është armiku ynë kryesor, ka përzënë rininë, ka dështuar arsimin, bujqësinë dhe çdo gjë tjetër. I shihni zyrtarët në Shkodër, administratorët në Shkodër dhe gjithë shtetin të korruptuar dhe ne duhet që ta shembim me vepra dhe angazhim. Edi Rama është armiku jonë më i madh. Jemi marrë me veten tonë dhe kemi kaq vite që merremi me veten tonë. Kemi shëmtuar komunikimin me anëtarin punëtor të PD në territor dhe kemi shkëputur komunikimin me qytetarin. Politika nga përvoja ime kërkon që të ketë komunikim, kërkon dhënie dore, ndërtim besimi, takim ballë për ballë. Ajo që duhet të rivendosim ne është komunikimi brenda nesh dhe që quhet bashkimi i PD dhe komunikimi me gjithë strukturat e PD dhe më pas me gjithë qytetarët e qarkut dhe bashkive në gjithë vendin. Nuk duhet të na mbysë emocioni i kësaj salle por duhet të dalim dhe t’i japim besën qytetarëve dhe të ndërtojmë një vizion të qartë me qytetarët për t’i thënë se do jemi pjesë e projekteve zhvillimore të vendit dhe kjo bëhet jo me fjalë por me vepra konkrete.
Qytetarët ta kuptojnë që janë të mbështetur nga ana jonë dhe të duan t’i bashkohen programit tonë shpresëdhënës. Forma e komunikimit kur je në politikë është protesta dhe kjo nuk është një teori. Sytë dhe veshët e çdo qytetari shqiptar, i majtë i djathtë me parti e pa parti duhet të jenë në sheshin përpara kryeministrisë dhe nga aty përhapet shpresa e fitores dhe nuk duhet të dështojmë, nuk duhet që të jemi pak në numër. E dimë shumë mirë si ftohen njerëzit dhe çdo kush duhet që të bëjë pjesën e vet por për këtë organizim ne duhet që të marrim përgjegjësitë tona sepse kryesia e PD nuk është honorifike dhe të gjithë duhet që të shpërndahemi në territor në mënyrë që qytetarët të na mbështesin në aksionin tonë dhe protestën tonë. Duhet të luftojmë patjetër edhe për lirinë e liderit tonë Sali Berisha. Ta fillojmë duke thirrur të gjithë seksionet dhe të pushtojmë çdo hapësirë të Shkodrës dhe Shqipërisë dhe të mos neglizhojmë asnjë qytetar, asnjë biznes. Duhet ta bëjmë të gjithë bashkë këtë organizim dhe të mos hezitojmë për të përdorur të gjitha format njerëzore. Na pret shumë punë përpara dhe besoj se do ta bëjmë shumë mirë”. /balkanweb/