Shumica e deputetëve të Partisë Socialiste kanë refuzuar që të komentojnë për mediat arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ndërsa disa prej tyre mendojnë se vetëm drejtësia duhet të shprehet për këtë çështje.


Pandeli Majko, Eduard Shalsi, Etjen Xhafaj, Xhemal Qefalia dhe Anila Denaj kanë refuzuar të bëjnë një koment, ndërsa Nasip Naço tha: “Të flasë drejtësia, të dëgjojmë drejtësinë, kaq. Kur flet drejtësia heshtin të tjerët”.

Të njëjtin mendim ndau edhe kolegia e tij, Blerina Gjylameti teksa tha se “nuk komentohet drejtësia”.

Beqaj përfundoi në pranga si i akuzuar për korrupsion me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC, të krijuar për menaxhimin e donacioneve për Shqipërinë, por ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja mendon se “politikanët nuk pyeten për çështjet e drejtësisë”.

“Drejtësia ka punën e vetë”, nënvizoi Manja, ndërsa Elisa Spiropali kritikoi mediat për vrullin me të cilin kanë nxituar të kërkojnë një mendim nga socialistët për këtë çështje.

“Ç’është ky zell, ç’është kjo kënaqësi që keni për të vënë mikrofonat për një çështje që do të sqarohet nga drejtësia”, u shpreh Spiropali.


I vetmi nga socialistët që u ndal të shkoqiste çështjen për mediat ishte Erion Braçe, i cili ndër të tjera kërkoi që të mbahet përgjegjësi për vjedhjen e fondeve të BE-së.

“Me thënë të drejtën kam parë vetëm këto lajmet e para që kanë dalë, duhet të kemi informacion më tepër. Video me pranga në duar nuk përbën argument për atë që po më pyesin. Po më pyesni për thelbin e gjësë, vjedhjen e fondeve të BE-së. Sa kohë që bëhet fjalë për vjedhje duhet informacion më i detajuar sesa ai që është publikuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Përtej kësaj, patjetër që reforma në drejtësi për kë u bë? Për të vënë para drejtësisë abuzuesit. Patjetër që kur ka implikime lidhur me ato që janë programe, apo fonde buxhetore të Bashkimit Europian duhet parë shumë seriozisht gjëja që të përmbushim atë detyrimin që BE vendos për paratë e veta, qoftë te fondet e bujqësisë qoftë të fondet e tjera të BE që përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë. Patjetër që PS duhet ë mbajë përgjegjësi morale. PS po e mban këtë përgjegjësi pa më të voglin diskutim dhe jam i bindur që kur paraqitemi para një gare elektorale, gjithsecili do marri kosto. PS është angazhuar në një proces të thellë reformimi, jo vetëm brenda saj por edhe të qeverisjes dhe legjislacionit për të adresuar problematikën e madhe të korrupsionit.”