Një ekip mjekësh të disa specialiteteve, neurokirurg , kirurg maxilofacial okulist, kirurg plastik i kanë shpëtuar jetën 75 vjeçarit Faik Palushaj duke i hequr masën tumorale që i ishte shfaqur në sy, por që i kishte prekur edhe shqisa të tjera. 75 vjeçarit nga Vora prej vitesh i ishte shfaqur një plagë në këndin e syrit e cila nuk shërohej.


“Më doli një kokërr në sy. Filloi më zinte shikimin, pastaj më filluan dhimbjet e kokës”, shprehet ai.

Faiku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikales këtë të martë dhe familjarët nuk dinë si të përgëzojnë mjekët të cilët u bënë bashkë për të shpëtuar jetën e babait të tyre .

“Kemi shkuar në disa okulist”, thotë i biri.


Në fakt një mjek okulist nuk mund t’i jepte zgjidhje tumorit që po përhapej në fytyrë dhe për ndërhyrjen e tij kirurgët kanë ardhur jo vetëm nga shërbime por edhe nga spitale të tjera siç është kirurgu Marjon Sako që erdhi nga spitali Universitar i Traumës.

“Duhej bërë shumë kujdes pasi masa tumorale përveç syrit kishte prekur hundën, dhe na është dashur që pas ndërhyrjes të bënim rikonstruksion të pjesë së syrit, tani trajtimi do të vazhdoje më radioterapi”, tha ai.

Kjo ndërhyrje u mundësuar në Shërbimin e Neurokirugjisë në QSUT. Profesor Artur Xhumari thotë se janë kryer 10 ndërhyrje kirurgjikale të këtij lloji ku kërkohet një ekip multidisiplinar i cili nuk ka qenë i lehtë të krijohet por që ka shpëtuar edhe jetë bebesh të vogla që kanë lindur me keqformime.