Ndërtimi i rrugës së Velipojës, ndërtimi i Muzeut të ri të Lundrimit në Shkodër apo ndërhyrje në rrugën drejt Parkun të Tomorrit, me qëllim përmirësimin e ofertës turistike natyrore, duke përmirësuar aksesueshmërinë.


Këto janë investimet që parashikohet të realizohen në vijim në kuadër të projektit 40 mln euro për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, teksa në sistemin e prokurimeve të BERZH janë hapur tenderët për kompanitë e interesuara.


Ndërhyrjet në rrugën e Velipojës apo për Muzeun e Lundrimit nuk janë të vetmet në kuadër të këtij projekti për Qarkun Shkodër, pasi në javët e fundit janë hapur edhe disa tenderë të tjerë për përmirësimin e peizazhit dhe infrastrukturës lidhëse për Parkun Ligatinor në hyrje të Liqenit të Shkodrës apo për rikonstruksionin e rrugës Shirokë – Zogaj – Kufiri me Malin e Zi dhe sistemet e ujësjellësit dhe ujërave të zeza në këtë zonë.