Zbardhen emrat e të gjithë personave për të cilët është lëshuar një urdhër-ndalim nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të operacionit që çoi në pranga ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.


Burime bëjnë me dije se janë lëshuar 3 masa sigurie “Arrrest me burg” për shtetasit Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollaj.

Ndërkohë që masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” është aplikuar për shtetasit Gazmend Haxhia dhe Elton Marini. Sakaq në “Detyrim paraqitje” janë lënë shtetasit Bledar Leka dhe Bjona Zijaj.

Sipas informacioneve paraprake bëhet me dije se arrestimet lidhen me hetimet e kryera për abuzimet e kryera me fondet e SASPAC, gjatë kohës që Beqaj ishte në krye të kësaj drejtorie.

Ish-ministri i Shëndetësisë dyshohet se ka kryer fatura fiktive, falsifikime dokumentesh me qëllim përvetësimin e fondeve të SASPAC.


Lidhur me këtë dosje pak muaj më parë u zhvilluan disa kontrolle në disa biznese, por dhe përgjime të personave të afërt të ish-ministrit.

Beqaj doli në komunikime me vartës të tij ku kryente biseda që lidheshin me “kopsitjen” e letrave dhe praktikave për përvetësimin e fondeve.

Sipas SPAK, ish ministri ka komunikuar me shtetasin Ermal Kurtulaj, me detyrë Koordinator i projektit EUSAIR. Beqaj përdorte telefonin e shoferit të tij pranë agjencisë SASPAC, Arben Dani.

Dyshohet se Kurtulaj menaxhonte një restorant i cili dyshohet si pronë e fshehur e Beqajt dhe ku priteshin fatura fiktive.


Gazetari i Euronews Albania tha se operacioni është ende në vijim e sipër, ku agjentët e BKH po kryejnë kontrolle në zyrat e SASPAC, por dhe ambiente të tjera.