Sot dhe nesër, Shqipëria është në zi kombëtare në nder të kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri është ulur në gjysmë shtizë, ndërsa vendimi për zi kombëtare u mor me propozim të kryeministrit Edi Rama.


Kadare do të përcillet nesër në banesën e fundit me ceremoni shtetërore, ndërsa homazhet do të mbahen në mjediset e Teatrit të Operës dhe Baletit nga ora 09.00-11.00 dhe nga ora 11.30 deri në 12.30. Ndërkohë në orën 13.00 të së mërkurës çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe.


Televizioni shtetëror gjatë kohës së homazheve do të transmetojë muzike funebre, ndërsa për organizimin e homazheve është ngritur një komision i posaçëm shtetëror.

Ismail Kadare një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohor, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërroi jetë në moshën 88 vjeç, mëngjesin e 1 korrikut. Kadare pësoi “arrest kardio-respirator”, në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë.
Lindur më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; Gjuhë – Letërsi në Tiranë, më pas dy vjet vjet studime në Moskë në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, Kadare është përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë dhe përkthyer në 45 gjuhë. Vitet e fundit I ndau mes Francës dhe Shqipërisë.
Shkrimtari së fundmi mori dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Autor i 71 veprave, ai shquhet kryesisht për prozë, por me kontribut edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.