Është kënaqësi e madhe të mirëpres në këtë takim në Shkodër këte event shumë të rëndësishëm duke evidentuar marrëdhëniet gjthnjë e më të ngushta dhe interesin e Britanisë së Madhe për veriun e vendit tonë.
Gjatë këtij viti në detyrën e kryetarit të Bashkisë Shkodër kam pasur mundësinë të takohem shpesh e të bisedoj shtruar me të nderuarin Ambasador Alastair King-Smith, rreth hapësirave për bashkëpunim e rritjes së pranisë Britanike në veri. Kam konstatuar me kënaqësi interesin e veçantë të shtetit mik dhe të ambasadorit për intensfikimin e këtyre marrëdhenieve.
Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen në zhvillimin e rajonit verior të vendit përmes financimit të projekteve të suksesshme zhvillimore me fokus mbështetjen e të rinjve. Shpresojmë shumë se kjo mbështetje do të jetë në të ardhmen edhe për bashkinë dhe rajonin e Shkodrës.
Mendojme se në këtë erë të zhvillimore për Shkodrën me projekte konkrete për zhvillimin e infrastrukturës, me hovin që po shohim përditë të rritjes së turizmit në zonë,po hapen prespektiva të rëndësishme për bashkëpunimin me bizneset britanike në rajonin tonë.
Është me shumë interes që të kemi sa më shumë investime të huaja këtu, sigurisht edhe investime britanike. Duke shfrytëzuar prezencën e biznesit këtu le të përpiqemi nëpërmjet dhomës britanike të tregtisë, por edhe diasporës jo të vogël shkodrane në Britani, të krijojmë ura bashkëpunimi. Mbështetja britanike në përpjekjet për zhvillim ekonomik, por edhe për sferën kulturore besoj se do të jetë gjithnjë e më e ndjeshme. Nga pozita e Bashkisë sonë të gjitha dyert janë të hapura për bashkëpunim që ta kthejmë Shkodrën një qendër rajonale të zhvillimit e të kemi përpara ditë më të mbara për të gjithë Veriun e Shqipërisë.