Furnizimi me ujë përveç se është një shërbim jetik për qytetarët, është një kontratë me të drejta dhe detyrime juridike- civile për palët. Në asnjë rast kjo kontratë nuk mund të jetë e njëanëshme dhe me klauzola të imponuara nga ofruesi, përfshirë edhe çmimin, aq më tepër në këtë rast nga një kompani me kapital 100% shtetëror, e cila duhet të ketë në plan të parë mbrojtjen e interesit publik. Për këtë arsye mora pjesë ditën e djeshme në dëgjesën publike (fatëkeqësisht me shumë pak pjesëmarrje të publikut), për propozimin UKSH për rritjen e tarifave të shërbimit me ujë ku ngrita këto tre shqetësime:
1. Nëse abuzimi me ujin e pijshëm do të vazhdojë me anë të lidhjeve të paligjshme, vjedhjeve dhe mospagesës nga një pjesë e konsiderueshme e “të fortëve”, rritja e tarifave të ujit për qytetarët e bizneset rëndon pikërisht në xhepat e atyre që janë dhe kanë qenë korrekt me pagesat.
2. Propozimi i rritjes së tarifave nga ana e ujësjellësit, mund të ketë efekt në mbledhjen e taksave nga ana e bashkisë, pasi një pjesë e rëndësishme e tyre gjenden në faturën e ujit. Nëse rritja bëhet pa mirëkuptim me qytetarët dhe ata e vlerësojnë të padrejtë këtë rritje, kjo do të ndikojë në dekurajimin e tyre për të paguar dhe rritjen e debitorëve, duke sjellë edhe rritjen e mospagimit të taksave bashkiake, pasi ujësjellësi funksionon si agjent tatimor për bashkinë. Duhet medeomos që drejtuesit e bashkisë ta marrin në konsideratë edhe këtë problematikë.
3. Ujësjellësi përveç përllogaritjes së kostove të tija, duhet të marrë në konsideratë edhe kostot që mbart për qytetarët sjellja e ujit deri tek banesat e tyre me anën e pompave dhe pagesës së energjisë elektrike, përveç asaj të ujit.