Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me kryeministren italiane Georgia Meloni, tha se Shqipëria është gjithmonë gati për Italinë.

Rama u shpreh se në lidhje me marrëveshjen për emigrantët me shtetin italian, shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë kalkulim dhe nuk ka fituar asnjë euro.

Edi Rama: Shqipëria ka pasur një rrugëtim historik tepër të vështirë dhe aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Jemi vend në Europë që mirëpritëm hebrenjtë. Kam lexuar dhe parë në mediat italiane gjëra që as mund t’i imagjinoja. Ne nuk kemi kërkuar asnjë euro për marrëveshjen. Kjo sepse nëse do kërkonim euro, ne nuk do të ishim ne. Nëse do kërkonim euro, nuk do të ishim kjo Shqipëri që jemi.

Ne nuk kemi bërë kalkulimin sesi do ndikojë ekonomikisht marrëveshja. Gjithçka administrohet nga pala italiane. Ne kemi dhënë disponueshmërinë e shtëpisë sonë, për një hall që na tha Italia se a na ndihmoni dot. Marrëveshja nuk është bërë për interesa, por për të treguar bujarinë e shqiptarëve. Kështu funksionon raporti special që kemi me Italinë. Ne këtë mundësi që ne kemi mund ta shfrytëzojë vetëm Italia e asnjë vend tjetër, për 1000 e një arsye historike të së sotmes e të nesërmes.

(Balkanweb)