Dhoma e Avokatisë në Shkodër i është përgjigjur bojkotit të seancave gjyqësore për 3 ditë me radhë, sipas vendimit që mori një ditë më parë Dhoma e Avokatisë Shqiptare, pas dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Janë rreth 130 seanca gjyqësore që nuk do të zhvillohen në këto 3 ditë, ku përjashtim ka vetëm për masat e sigurisë. Në një deklaratë për mediat, kryetari i Dhomës se Avokatisë Shkodër, Anton Kosteri, dënoi dhunën ndaj avokatit dhe bëri thirrje për vënien para përgjegjësisë së autorëve.

“Edhe sot Dhoma e Avokatisë Shkodër shpreh gjithë mbështetjen institucionale, njerëzore e humane ndaj kolegut e profesorit Sokol Mëngjesi, i cili ka rënë pre e një sulmi të paprecedentë ndaj institucionit të avokatit. Ne dënojmë sulmin ndaj kolegut tonë, një profesor i nderuar i së drejtës në RSH dhe bëjmë thirrje për vënien para përgjegjësisë të personave dhe kujtdo që ka shtyrë e iniciuar këtë sulm brutal. Sa i përket bojkotit, ne kemi vendosur 3 ditë bojkot të të gjitha seancave me përjashtim të seancave për dhënien e masës së sigurisë”.

Ai mohoi të ketë sinjalizime për të tilla problematika në Shkodër, por kërkoi nga klientët që t’i trajtojnë avokatët me profesionalizëm dhe t’i zgjidhin problemet me profesionalizëm.

“Ka debate me tone jo të kënaqshme, por në Dhomën e Avokatisë Shkodër nuk jemi sinjalizuar për problematika të mëdha kur avokatit i është cenuar integriteti profesional dhe personal. I kërkojmë klientëve tanë që kur kanë një problem. Ashtu siç shkon te mjeku për të kërkuar ndihmë profesionale, të vijnë tek avokati, ta trajtojnë me respekt e profesionalizëm dhe kur avokati nuk mund të përgjigjet ta ndjekin institucionalisht problemin. Nuk është dhuna mjeti për të zgjidhur problemin. Ka rreth 50-60 seanca në ditë që shumica do të shtyhen”.