Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni pritet të vizitojë Shqipërinë ditën e nesërme, më 5 qershor.

Kjo vizitë e saj është konfirmuar nga qeveria italiane, ndërsa thuhet se Meloni do të zhvillojë një vizitë të përbashkët me Kryeministrinë e Shqipërisë, Edi Rama, në orën 12: 20, në zonat që mbulon protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për çështjet e migracionit.

Veç inspektimeve në dy qendrat e emigrantëve është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

Vizita e kryeministres Meloni vjen në kuadër të Javës Italiane të Kulturës në Shqipëri, ndërkohë punimet për qendrën pritëse të emigrantëve në portin e Shëngjinit po shkojnë drejt fundit. Të hënën më (3 qershor) në këtë qendër mbërriti edhe policia italiane, që do të dislokohet në Shëngjin për të garantuar sigurinë e refugjatëve.

Fillimi i protokollit të marrëveshjes për emigrantët pritet të nisë më 15 shtator, ku është parashikuar që 13.5 milion euro të shkojnë vetëm për marrjen me qira të anijes e cila do të shoqërojë emigrantë deri në portin e Shëngjinit, shkruante dje La Repubblica.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve të cilët shpëtohen në det nga anijet ushtaraka italiane apo ato të Guardia di Finanza-s derisa të merret një vendim për fatin e tyre, nëse do të pranohen ose jo në vendin fqinj.

Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ku do të ngrihet qendra e parë ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj. Në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.