Asgjësohen 1967 bimë të dyshuara kanabis, në kuadër të megaoperacionit policor i koduar “Territor i pastër’.

Bimët narkotike të mbjella në një tokë u zbuluan nga policia e Shkodrës në fshatin Bardhaj. Në lidhje me zbulimin e parcelës policia ka vënë në hetim kryetarin e fshatit Bardhaj, A. F., 39 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkohë në komisariatin e Policisë së Vaut të Dejës, gjatë kontrollit në territorin e fshatit Vasijaj, bashkia Vau i Dejës, evidentuan 91 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të mbjella në tokë, të cilat u asgjesuan me anë të djegies.

Policia thotë se po vijon punën për identifikimin e trafikantëve.

Sakaq specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, në vijim të megaoperacionit “Territor i pastër” ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim B. M., 37 vjeç. Gjithashtu, pas konsultimit me prokurorin, proceduan në gjendje të lirë vëllanë e tij, shtetasin N. M., 42 vjeç.

‘Këta shtetas ishin shpallur në kërkim në kuadër të fazës së parë të megaoperacionit “Territor i pastër”, si rezultat i të cilit, u goditën 11 raste të kultivimit të bimëve narkotike, u asgjësuan 19 300 fidanë cannabisi, si dhe u sekuestruan 97 kg cannabisi (në trajtë çokollate dhe boçeje), 2160 fara cannabisi dhe municion luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.