Grupi i vullnetarëve të shoqatës “The Door-Albania” bashkë me të rinjtë e shkollës industriale të Shkodrës udhëtoi në këmbë drejt fshatit Logj, të Prekalit, për shkak të mungesës së rrugës automobilistike, e cila e ka bërë edhe më të vështirë jetesën e disa dhjetëra familjeve që vazhdojnë të jetojnë në këtë zonë të thellë të Dukagjinit.
Vullnetarët i ka bashkuar programi “Përdorim Diellin”, përmes të cilit synohet që familjet në nevojë, të cilat për shkak të varfërisë nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike, të mbështeten me panele diellore, ndihma ushqimore dhe riparimin e disa prej banesave që janë jashtë kushteve të jetesës, thotë për Zërin e Amerikës Kastriot Faci, i cili drejton shoqatën “The Door-Albania”
“Jemi në fshatin Prekal, jemi tek dy familje që po përfitojnë nga programi “Përdorim Diellin”. Është një nisëm e re, e cila synon të mbështesë disa familje që jetojnë në zonat rurale, në largësi nga qendrat urbane, por edhe personat që jetojnë në familjet me persona me aftësi ndryshe si dhe të rinjtë që janë përfshirë në fushën e turizmit. Janë 188 panele diellore, të cilat janë dhuratë nga kompania norvegjeze “Bright” dhe që kanë ardhur nëpërmjet organizatës “Norwegian Aid” për shoqatën “The Door” në Shkodër”, thotë ai.
Në familjen e Zef Marashit vullnetarët shpërndajnë ndihma ushqimore dhe punojnë për instalimin e paneleve diellore, që do t’i mundësojnë familjes energjinë për ndriçim dhe uljen e shpenzimeve të faturës mujore për energjinë elektrike.
Familja e Zefit përbëhet nga 11 anëtarë. Disa vite më parë, shtëpia e tij u shemb nga vërshimi i përrenjve malorë dhe familja u detyrua të strehohej, në kushte tejet të vështira, në një nga stallat e bagëtive të ish kooperativës bujqësore.
Bashkëshortja e Zefit, Marija, tregon se, për shkak të kushteve të vështira të jetesës, një pjesë e familjeve të zonës janë larguar drejt qytetit ose në emigracion. Ajo tregon për kushtet ku jeton bashkë me fëmijët, si dhe për vështirësitë e shumta me të cilat përballet çdo ditë.
Në të njëjtën ndërtesë thuajse të shkatërruar jetojnë edhe pjesëtarët e familjes së vëllait të Zefit. Për ta, vullnetarët e “The Door-Albania” kanë mundësuar ndërtimin e një kati shtesë, por edhe këtu kushtet e jetesës janë të vështira.
Një raport i Avokatit të Popullit për vitin 2023, i mbështetur në shifrat e prodhuara nga Instituti i Statistikave, tregon se thuajse 1/3 e popullatës në Shqipëri jeton në kushte shumë të vështira ekonomike, ndërsa skemat e mbështetjes sociale duhet të shënojnë më mirë familjet në nevojë.
I riu Armando Lleshaj, së bashku me një grup nxënësish të shkollës industriale të Shkodrës, është bërë pjesë e programit “Përdorim Diellin”. Bashkë me vullnetarët e tjerë të shoqatës ata kanë udhëtuar në fshatrat e zonës malore të Shkodrës, Pukës dhe Malësisë së Madhe duke instaluar panelet diellore, që u mundësojnë familjeve të varfëra ndriçim falas.
“Jam nxënës në vitin e dytë elektro-teknikë. Së bashku me shokët e mi shërbejmë vullnetarisht në organizatën “The Door” dhe punojmë për montimin e paneleve diellore dhe sistemit solar. Kjo praktikë profesionale që ne zhvillojmë këtu na ndihmon për të fituar njohuri të reja, për të njohur njerëz të rinj dhe për t’i shërbyer këtij komuniteti”, tregon ai.
Zonat malore në Veri të Shqipërisë zbulojnë bukuri të shumta natyrore, por edhe vështirësi për jetesën e banorëve, të cilët, për shkak të nivelit të lartë të varfërisë dhe kushteve të vështira të jetesës, vazhdojnë të largohen drejt qendrave urbane ose emigrimit./VOA