Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme pasi kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi u thirr nga SPAK për të dëshmuar mbi çështjen e “Xibrakës”.
Rama u shpreh se “llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova” në reagimin e tij, duke theksuar se pas “llafeve të mëdha, edhe një detaj i vogël mungon”.
Kreu i qeverisë u shpreh se mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga “vetë B-ja i vogël me gojën e madhe”, duke iu referuar Bardhit, kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallëzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale.
Ai shtoi se nëse plotësohet kjo mungesë atëherë SPAK ka gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori, duke thënë më tej se ose “B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant në rrethin e ngushtë, ose gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit”.
Reagimi i plotë:
Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull! Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale.
Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit!