Si rezultat i bashkëpunimit me partnerët spanjollë, finalizohet operacioni i koduar “Capital”, për kapjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I akuzuar për tentativë vjedhjeje me armë, në një argjendari në Shkodër, kapet në Spanjë dhe arrestohet për t’u ekstraduar në Shqipëri, 35-vjeçari. Si rezultat i shkëmbimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, të informacioneve të siguruara nga strukturat e DVP Shkodër, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është finalizuar operacioni i përbashkët i koduar “Capital”, për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i operacionit, është kapur në Spanjë dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, shtetasi E. H., 35 vjeç. Shtetasi E. H. akuzohet se në vitin 2012, në lagjen “Fahri Ramadani”, Shkodër, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë tentuar të vjedhin në një argjendari, duke përdorur armë zjarri. Gjatë tentativës për vjedhje, ka mbetur i plagosur vëllai i pronarit të argjendarisë. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar pas rifillimit të hetimeve nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Bazuar në këto hetime, në muajin shkurt 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar shtetasit E. H., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Vijojnë procedurat për ekstradimin e shtetasit E. H., në Shqipëri.
Ngjarja e vitit 2012
Dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë tentuar të grabisin argjendari “Caku-n” mesditën e sotme në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Partizani” të qytetit, kur rreth orës 15:15 dy të rinj kanë tentuar të grabisin argjendarinë në pronësi të Mit’hat Cakut. Vjedhja rezultoi pa sukses për grabitësit pasi atë janë ndeshur me kundërshtimin e pronarit të argjendarisë. Dy grabitësit, të cilët mbanin paruke në kokë dhe maska kur janë futur brenda në argjendari kanë thyer xhamin ku mbaheshin florinjtë për t’i marrë ato, por ndërhyrja e pronarit nuk ka lejuar grabitjen.
Në tentativë e sipër për të vjedhur argjendarinë dy të rinjtë kanë plagosur Mit’hat Cakun në të dyja duart me një mjet prerës. Ndërsa grabitësit kanë dalë nga argjendaria, pronarët janë vënë në ndjekje të tyre dhe grabitësit kanë qëlluar me pistoletë disa herë. Për pasojë ka mbetur i plagosur në këmbë Ruzhdi Çaku, i cili është vëllai i pronarit dhe ka ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë, pasi ishte shumë afër vendit të ngjarjes. ipas të dhënave të policisë dyshohet se të rinjtë janë adoleshentë dhe kanë qëlluar 5 herë mbi Ruzhdi Cakun në pjesën e këmbës dhe më pas janë larguar me shpejtësi me një automjet. Ndërkohë që janë sekuestruar pamjet filmike të kamerës së sigurisë të argjendarisë dhe policia po punon për të identifikuar autorët e kësaj tentative për grabitje. Sipas informacioneve të korrespondentit të Tv A1 Report Elvis Nabolli dyshohet se dy adoleshentët e kanë studiuar tentativën për grabitje pasi kanë shfrytëzuar pikërisht orarin e drekës, kur nuk ka shumë lëvizje dhe dëshmitarë okularë. Në grabitje kanë marrë pjesë 3 persona, dy që janë futur në argjendari dhe një person që priste në makinë.
Nga të dhënat spitalore mësohet se Ruzhdi Caku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale pasi plumbi i ka ngelur në këmbë dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kurse pronarit të argjendarisë i kanë dhënë ndihmën e shpejtë në vendngjarje, ku i kanë mjekuar të dyja duart e plagosura dhe nuk ka pasur nevoje për të marrë një ndihmë më të specializuar në spital. Mësohet se kjo është tentativa e parë për grabitjen e një argjendarie në qytetin e Shkodrës, ndërkohë që policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.