Qeveria prej muajsh është në proces vlerësimi të skemës aktuale të pensioneve duke dhënë sinjale veç të tjerash edhe për ndryshim të mënyrës së indeksimit. Por, për ekspertët, një indeksim apo rritje e diferencuar, bazuar në masën e përfitimit shkakton pabarazi sociale dhe cenon thelbin e skemës, e cila ka si bazë të saj vitet kontributive.
Nga studio e emisionit “Box to Box” ekspertja Teuta Nunaj tha se ata, të cilët trajtohen aktualisht me pensione të ul1ëta duhet të mbështeten me bonuse shtesë ose pension të 13-të. Në të njëjtën linjë qëndron edhe eksperti Eduard Gjokutaj, sipas të cilit mbështetja duhet të jetë e shkëputur, pra jashtë skemës së pensioneve dhe të vi në formën e subvencionit apo kompensimit. Më shumë se 45 për qind e të moshuarve, kryesisht në zonat rurale sot trajtohen me pensione të ulta.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të ardhurat mesatare të pensionistit të qytetit në vitin 2022 ishin 18,615 lekë në muaj ndërsa të ardhurat mesatare të pensionistit të fshatit ishin 10,888 lekë në muaj. Prej disa muajsh qeveria me asistencën e Bankës Botërore është duke parë aspektet, të cilat duhet të korrigjohen apo të ndryshojnë.
Ajo që dihet deri në këtë fazë të procesit është, që ndërhyrja do të bëhet në disa drejtime përfshirë këtu edhe rishikimin e nivelit të kontributeve që paguhen, rritjen e kompensimeve dhe rishikimin e skemës suplementare. Nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore mësohet se prioriteti është adresimi i mbulimit të dobët të popullsisë në moshë pune. Në këto kushte, do të synohet që stimulohen të rinjtë që të paguajnë kontributetet. Kjo nënkupton ruajtjen e normës së kontributit në një grup të arsyeshëm dhe ndoshta kryerjen e studimeve për të kuptuar nëse një periudhë më e shkurtër e kontributeve mund të nxisë më shumë punonjës për të kontribuar.
Skema e re
Reforma synon të forcojë elemente të tjera të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension. Në diskutim është rritja e pensionit social me shkallën e varfërisë relative. Gjithashtu, ndryshimet do të marrin në konsideratë zhvillimin e skemave private, duke ofruar stimuj për profesionistët dhe të vetëpunësuarit.
Skema e pensioneve rurale gjithashtu është pjesë e rishikimit si në drejtim të kontributeve dhe përfitimeve, pasi pjesa më e madhe e pensionistëve të varfër janë aktualisht në zonat rurale. Reforma, për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2032 dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032 dhe për të arritur 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.
Risia tjetër ishte rritja e normës së kontributit për zonat rurale, duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017. Teksa vitet e punës për pension u rritën me reformën e vitit 2014, shumica e pensionistëve jo vetëm që nuk plotësojë kriteret për pension të plotë, por vit pas viti ata që dalin në pension kanë më pak vite pune me kontribute dhe marrin pagesa më të ulëta se pensioni mesatar.
Më 2014 kishte 460,736 pensione pleqërie dhe 28% e tyre morën pagesa të pjesshme, ndërsa vitin e kaluar, gati 50% e totalit të pensioneve të pleqësisë ishin të pjesshme. Shumica e pensionistëve po përfundojnë me pagesa mujore afër pensionit minimal dhe atij social. Personat që dolën në pension gjatë vitit 2023 morën pagesë mesatare rreth 15,569 lekë, vlerë kjo 15% më e ulët se pensioni mesatar për të gjithë pensionistët. Ekspertët që po punojnë për reformën pohuan se pritet të ketë ndryshime në llogaritjen e pensionit minimal dhe pensionit social që tani janë në nivele të njëjta.