Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në një emision në “La Repubblica” këtë të mërkurë ku foli në lidhje me reportazhin e Rai 3 në të cilin u trajtua marrëveshja për emigrantët e ku Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi akuzohej si “ish-avokat i trafikantëve të drogës”.
Rama tha gjatë diskutimit me të ftuarit në “Metropolis” se programi italian i ka censuruar dhe i ka sulmuar pasi nuk i ka përfshirë në reportazh. Ai theksoi se ka telefonuar drejtorin e Rai 3 për t’i shprehur këtë gjë e jo për të censuruar ndokënd.
Sipas tij, ajo që është bërë me emisionin italian nuk është liri shtypi, por shtypje e lirisë dhe e të drejtave.
“Më vjen keq që do më duhet t’ju lë pa marrë përgjigjen për faktin nëse është e rëndë apo jo ajo çka është bërë ndaj nesh nga ky program. Jo vetëm jemi censuruar, sepse unë nuk e kam telefonuar drejtorin për të censuruar ndokënd e as për t’i thënë pse na keni censuruar, por për t’i thënë na keni censuruar dhe na keni sulmuar sepse nuk jemi përfshirë në programin tuaj. Ky është kulmi. Kjo nuk është liri shtypi, kjo është shtypje e lirisë dhe e të drejtave”, tha Rama.
E kur të ftuarit në emision i thonë që do ta intervistojnë ata Agaçin nuk mungon ironia e kreut të qeverisë.
“Nëse nuk është i zënë me ndonjë narkotrafikant do të vijë”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh më herët se dokumentari i televizionit publik italian RAI 3 është një mënyrë sulmi ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, në kurriz të Shqipërisë. Sipas kryeministrit, vetë gazetari i emisionit “Report” i televizionit italian RAI 3 e ka pranuar se ka gënjyer mbi faktet e dokumentarit. Rama tha se gazetari Giorgio Mottola, në intervistën e tij për mediat shqiptare, ka gënjyer kur thotë se sekretari i Përgjithshëm Agaçi ka konfirmuar se ishte avokati i disa trafikantëve të drogës dhe se nuk është e vërtetë që gazetari italian nuk ka marrë përgjigje./tvklan.al