Vllaznia dhe Egnatia luajnë nesër në 18:00 gjysmëfinalen e kthimit për Kupën e Shqipërisë në “Loro Boriçi”. Ndeshja e parë është fituar 1-0 nga Egnatia, me shkodranët që kanë një detyrë të vështirë për të përmbysur ndeshjen.

Në kampin shkodran janë optimistë se do jenë në finalen e Kupës, me trajnerin Qatip Osmani që për mediet tha se do kthejnë gjithçka në favor brenda 90 minutave.

“Të gjithë jemi optimistë për përmbysjen me Egnatian dhe kalimin në finalen e Kupës. Nesër nuk do të jetë e lehtë por kemi kualitet, plot optimizëm e presim ndeshjen e nesërme. Qëllimi ndaj Teutës është të shihnim lojtarët që do të zëvendësonin Hakaj dhe Stojanoviç.

Mendoj që luajtën mirë dhe presim që nesër të përsërisin lojën që bënë në Durrës. Jemi stërvitur gjatë javës kanë një përkrahje të madhe nga unë dhe stafi.

Nuk është rezultat i thellë me Egnatian, duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta mbyllim me sukses nesër. Nuk kemi siguruar as kampionatin as Kupën. Mendojmë që do ta përballojmë pozitivisht me Egnatian.

Është e kotë të bësh parashikime për këto ndeshje, por shpresoj ta mbyllim brenda 90 minutave. Çdo ekip ka një moment kur është forma e dobët e lojtarëve, nuk kemi ndonjë problem tjetër. Do mundoheni të bëjmë çmos që t’i japim kënaqësi tifozëve. Çdo herë tifozët janë një përkrahje e madhe, kur kemi pasur një numër të madh tifozësh, Vllaznia ka luajtur më mirë”, tha Qatip Osmani.