Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka vlerësuar qëndrimin dhe dënimin nga ana e KLP, lidhur me sulmet që janë bërë kundrejt SPAK.
Në reagimin në platformën X, ambasada e SHBA në Tiranë, thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në krah të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë.
Gjithashtu nënvizon se SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.
“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA.