Ndryshe nga sa deklarohet nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Shkodrës Beci, cilësia e punimeve në rrugën e Dukagjinit është jashtë çdo standardi të kërkuar nga banorët prej mëse 30 viteve.

Një ankesë e tillë vjen nga vetë banorët e zonës. Ata shprehin shqetësimin për gjerësinë e rrugës, muret mbajtëse dhe mbrojtëse dhe veprat e tjera, duke paraqitur rrezik për drejtuesit e mjeteve.

Ankesat e banorëve erdhën gjatë një takimi që anëtarja e Këshillit Bashkiak Shkodër Eliona Shkreli zhvilloi me to. Kjo e fundit tha se realizimi i punimeve ka kaluar afatet e përcaktuara dhe nuk është e nevojshme të jesh ekspert për të kuptuar se cilësia e punimeve është larg standardeve.

Në rrugën e Dukagjinit kanë humbur jetën dhjetëra persona, si shkak i aksidenteve të rënda, ndërsa vetëm pak muaj më parë një punëtor humbi jetën teksa punonte në këtë rrugë.