Vazhdojnë me ritme të shpejta punimet restauruese në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, e cilësuar si ndër 50 më të bukurat e botës. Aktualisht ajo po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, që synon edhe mbrojtjen nga përmbytjet.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër sjell pamje nga kantieri i kulturës në objektin e Xhamisë së Plumbit, Monument Kulture i Kategorisë l, ku me rijetësimin e kësaj xhamie 250-vjeçare, ndër më të veçantat në Ballkan, do të jetë pjesë e itinerareve kulturore turistike për t’i dhënë një vlerë të shtuar turizmit të qëndrueshëm në territor.

Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, sipas modelit të arkitekt Sinanit.

Ajo u shpall Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Ndërhyrja e fundit në këtë xhami është bërë në vitin 1865, pas përmbytjes së madhe të Shkodrës.

Restaurimi i kësaj xhamie po bëhet pas një marrëveshjeje të lidhur me palën turke. Ndërhyrja kryesore lidhet me zgjidhjen e problemit të përmbytjeve, krijimin e një sistemi kullimi të sigurt dhe pengimin e ujërave vërshuese.

Jo pa rëndësi është edhe sistemimi i peizazhit të ambientit përreth, për ta kthyer në një park të denjë për besimtarët e turistët.

Sipas grafikut të punimeve parashikohet që ajo të jetë gati në vjeshtën e këtij viti.