Shqipëria ka rritur ndjeshëm investimet në sektorin e sektorin e mbrojtjes, ku për herë të parë këtë vit janë akorduar fonde që arrijnë nivelin 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Investimet janë në disa drejtime; në rinovimin e bazave ushtarake, ndërtimin e bazave të reja, investime në teknologji dhe sidomos investime të forca njerëzore. Ministria e Mbrojtjes ka hedhur në konsultim publik Strategjinë Ushtarake 2024-2033 në të cilën argumenton edhe arsyet që po shtyjnë drejt “ri-zgjimit të ushtrisë”. Koncepti Strategjik i NATO-s thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me kërcënime dhe sfida, mes të cilave ndërhyrjet dëmprurëse dhe keqdashëse të palëve të treta.
“Mjedisi i sigurisë ka pësuar ndryshime domethënëse, ku agresioni rus ndaj Ukrainës ka thyer normat dhe parimet e sovranitetit kombëtar të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore dhe ka rikthyer luftën në Evropë. Nuk përjashtohet mundësia e një sulmi konvencional kundër vendeve aleate në NATO-s apo që kjo luftë të ketë efekt domino edhe në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, edhe në vijimësi të rishikimit të dokumenteve të tjera strategjikë (SSK, SU) lind nevoja e rishikimit të kapaciteteve ushtarake të nevojshme për mbrojtjen e vendit, sigurimin e qëndrueshmërisë kombëtare, si dhe kapacitetet për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të NATO-s. Strategjia Ushtarake synon zhvillimin e një force e cila të jetë e aftë për të përmbushur me cilësi misionin dhe detyrat, brenda dhe jashtë vendit, më vete apo me aleatët. Krahas forcës aktive do të zhvillohet komponenti rezervist/vullnetar, i integruar dhe në harmoni me strukturën, kapacitetet dhe nevojat e FARSH-it” thuhet në relacionin shpjegues.
Ndërkohë veç bazës së re ajrore të NATO-s që u inaugurua pak javë më parë, janë edhe një serë investimet të reja që do të realizohen. Plani është që brenda pak vitesh Shqipëria të ketë një ushtri dhe sistem mbrojtje të ngjashëm me atë të NATO-s dhe që i përgjigjet çdo sfide që mund të paraqitet për sigurinë kombëtare të vendit tonë. Plani Afatgjatë i Zhvillimit (PAZH) i Forcave të Armatosura jep detaje të mëtejshme të mënyrës sesi Shqipëria do të investojë për mbrojtjen. Strategjia parashikon përfundimin e masterplaneve të garnizoneve kryesore dhe fillimi i investimeve për rijetësimin e tyre. Më konkretisht do të investohet në garnizonet Zall-Herr, Ferraj e Pezë Helmës.
Po ashtu, parashikohet ndërtimi i infrastrukturës stërvitore në Pajet, Bizë dhe në Mnelë. Në listën e investimeve është edhe zhvillimi i infrastrukturës pritëse dhe akomoduese portuale dhe aereoportuale në Porto Romano dhe bazën detare Pashaliman. Synimi i qeverisë shqiptare është që Porto Romano të jetë Baze detare e NATO-s, kërkesë që është në proces shqyrtimi. Ndërkohë për bazën detare në Pashaliman kanë nisur procedurat e rinovimit me fondet e qeverisë shqiptare.
Investim i pritshëm është edhe në Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare si dhe blerja e 6 anijeve të mesme patrulluese. Nga ana tjetër, investimet parashikojnë modernizimin e Bazës Ajrore Farkë, ku përveç rinovimit që ka nisur, do të kompletohet me helikopterë Blackhaëk . Investime parashikohen edhe për krijimin e Bazës Tokësore të Mbrojtjes Ajrore si dhe përmirësimi i Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore të vendit, ku veç një radari fiks, do të investohen edhe në 2 radarë të lëvizshëm.
Në listën e investimeve është edhe ndërtimi i rrjetit kompjuterik të klasifikuar “NATO Sekret” në Forcat e Armatosura dhe ndërtimi i Kampusit të ri Universitar. Në total, parashikohet që Shqipëria të investojë 122 miliardë lekë për modernizimin dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturën./ZËRI