Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. INSTAT bëri të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin mars 2024 është 2.3%.

Ky ëshë niveli më i ulët që nga korriku 2021, përpara se të niste një valë shtrenjtimesh, e ndikuar fillimisht nga zhbalancimet që solli pandemia e më pas nga pasojat në tregjet e mallrave të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Në tetor 2022, inflacioni arriti deri në 8.3%, niveli më i lartë që nga 1998-a.

Më pas rritja e çmimeve nisi të ngadalësohej dhe viti 2022 u mbyll në nivelin e 4%.

Në muajt e parë të 2024-s, inflacioni zbriti poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Që prej fillimit të vitit 2022, Banka e Shqipërisë nisi një politikë shtrënguese monetare, në funksion të objektivit të saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Nga 0.25%, norma bazë ka arritur në 3.25%. Pas rënies së inflacionit nuk pritet që Baka e Shqipërisë të vijojë më me këtë politikë shtrënguese.
Edhe në Eurozonë inflacioni ka shënuar rënie të vazhdueshme, duke rezultuar në 2.4% në mars. Banka Qendrore Europiane ka sinjalizuar se mund të nisë uljen e normave të interesit nga qershori.