Shkodër
Ushtronte veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, në lokalin e tij, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 58-vjeçari.
Si rezultat i kontrolleve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, është goditur një tjetër rast në këtë fushë, në një lokal.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Z. K., 58 vjeç, pasi kishte përshtatur lokalin e tij, në lagjen “Ahmet Haxhija”, për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit (baste sportive).
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar 1 celular që përdorej për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.