I hapur në mjediset e ish-Degës së Punëve të Brendshme, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër përfshihet në guidën turistike të rrjeteve të muzeve në këtë qytet. Historiani i muzeut, Xheraldo Nikjari, thotë se po presin një numër të lartë turistësh kryesisht të huaj ende pa nisur zyrtarisht sezoni turistik.
Birucat e paraburgimit në këtë muze i bëjnë turistët kurioz për historinë e Shqipërisë, ndërsa këta të fundit përjetimet dhe sugjerimet e tyre i hedhin në librin e përshtypjeve të muzeut.
Në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës janë ruajtur qelitë e ish-të burgosurve, vendet e torturave dhe marrjes në hetuesi, por edhe vuajtjeve dhe qëndresës së elementëve antikomunistë të qytetit të Shkodrës. Në pavionin e dytë të muzeut janë ekspozuar fotot e qindra ish- të burgosurve politikë, si dhe të pushkatuarve gjatë viteve 1944 deri në vitin 1990, kur edhe u rrëzua komunizmi në Shqipëri.