Transformatori i rrjetit elektrik të Bërdicës, në Shkodër është vjedhur nga persona të paidentifikuar duke lënë pa ujë rreth 4 mijë banorë. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet. Inxhinieri i shoqërisë rajonale të ujësjellës kanalizime në Shkodër, Lazër Pema, tha se dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm, por shumë shpejt do merren masa për rikthimin e ujit të pijshëm në katër fshatrat e Bërdicës. Pema bëri një apel për gjithë banorët e kësaj zone por edhe për gjithë të tjerët që të mos dëmtojnë stacionet e ujësjellësave duke qenë se ky është një rast i përsëritur.
Brenda 3 viteve të fundit ky transformator elektrik në stacionin e ujësjellësit të Bërdicës është vjedhur tri herë. Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Shkodër është duke bashkëpunuar me policinë e shtetit për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje.