Kryeministri Edi Rama ka shprehur sërish mbështetjen për punën e SPAK-ut, duke ju referuar arrestimeve të zyrtarëve të lartë të vendit.

Kryeministri tha se përgjegjësia e tij në raport me votuesit dhe qytetarët është mbështetja ndaj SPAK që çdo zyrtar i lartë i korruptuar të dalë para drejtësisë.

Rama foli sërish për bashkëpunëtorët e tij, një pjesë e të cilëve janë dënuar, arrestuar apo nën hetim, duke thënë se kushdo që “bën një rrugë e dy punë” dhe del nga misioni i tyre politik, të përballet me drejtësinë.

“Kam vetëm një përgjegjësi, që është përgjegjësia e udhëheqjes së këtij vendi për të dalë njëherë e mirë pa kthim nga një histori e dhimbshme dhe për të ardhur në këtë drejtim.

Çfarë kemi nisur duke i dhënë jetë SPAK-ut të mos ndalet dhe kam përgjegjësi për faktin që më në fund njerëzit që më kanë votuar mua të shikojnë që këtu s’ka të paprekshëm, që kush ndan qëllimet e përbashkëta është i nderuar, kush do të bëjë një rrugë e dy punë që të kapi ndonjë gjë, të shkojë atje ku ka vendin.